Rama pas sulmit me bojë: Janë një pakicë që shumicë dot nuk bëhen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish, kësaj here me zë, lidhur me incidentin e sotëm në Kuvend, ku deputeti Paloka hodhi bojë në drejtim të tij
Në përgjigje të një komentuesi, Rama përmes rubrikës “Përgjigjja ime” thotë se dëmi më i madh një shoqërie i vjen nga budallallëku.

Marketing

Duke iu referuar Palokës si një palobudalla, Rama thotë se ai kurajon e merr nga budallallëku i vetëdijshëm i dy partive opozitare në Kuvend.

Kryeministri thotë se sot ishte një ditë e rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por që për fat të keq u kthye në ditën e mavrisë me bojë.

Asnjë nga sëmundjet nuk i bën më dëm një shoqërie se budallallëku.Budallallëku i vetëdijshëm dëmton shumë më tepër dhe sado ta luftosh nuk e kufizon dot, sidomos kur gëzon mandate përfaqësimi politik dhe analizimi mediatik.Problemi me budallain e vetëdijshëm është krenaria me të cilën ai shfaqet në të gjithë budallallëkun e tij të pakufizueshëm.

Në rastin tonë, ky problem është ende më i madh. Budallai është një njeri me shiringë në dorë që hedh bojën përjetë në Kuvend ndërsa budallallëku që i jep atij guximin dhe krenarinë është një parti e tërë parlamentare. Madje është dhe më keq se kaq.Nuk është një por janë dy parti parlamentare që e kanë kthyer me vetëdije budallallëkun në një platformë ku gjithëkush përpiqet të kërcejë sa më lart në qiellin e budallallëqeve.

Kjo nuk është punë grushtash dhe shkelmash, dhe as puna e një budallai të vetëm dhe pse ky i sotmi është një lloj i veçantë,është një palobudalla. Sot ishte dita ku të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i kishin sytë te Kuvendi i Shqipërisë por mjaftoi një paloshqiptar bashkë me të zotin e tij për ta bërë ditën e mavrisë me bojë.

Për fatin më të keq dhe turpin më të madh kjo u bë dita e budallait shembullor.Kjo u bë dita e budallallëkut universal të opozitës së Shqipërisë e cila ofendoi mikun e ardhur nga Maqedonia e Veriut, kryetarin shqiptar të Kuvendit të ri të Maqedonisë së Veriut duke shkelur çdo rregull dhe normë të mirëpritjes.U bë dita e gjuhës së dhunshme. Sot një katran me bojë i vuri vulën me krenari një tjetër shfaqje turpëruese për ne dhe emrin e vendit tonë në tërë sytë dhe veshët e dynjasë.

Asnjë armik i Marrëveshjes së Prespës, asnjë armik i shqiptarëve dhe gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe kudoqoftë, asnjë armik i këtij kombi dhe këtij vendi nuk do ta katranoste më keq sot imazhin e Shqipërisë në Parlament.Si të mos mjaftonte budallai që me shiringë në dorë e turpëroi krejt parlamentin, ja behu në derë të parlamentit dhe boja vetë dhe shpjegoi se shiringa ishte stilograf.

Ata se kanë me mua, ata e kanë me ju. Unë jam vetëm pengesa mes tyre dhe jush. Kjo është arsyeja që durimi nuk më humbet por veç më kalitet, pasioni nuk më tretet por veç më shtohet dhe vendosmëria nuk më bie por veç më rritet. Këta janë të zhurmshëm, edhe të lodhshëm, por këta janë dhe mbeten një pakicë që shumicë dot nuk bëhen.

Marketing