Rama pas takimit me Merkel: Kancelarja e mbështetë Mini-Shengenin, Kosova po e dëmton vetën

Kryeministri i Shëipërisë, Edi Rama ka qëndruar sot në Berlin ku është takuar me Kancelaren, Angela Merkel. Përpos diskutimit për fatin e negociatave të Shqipërisë për anëtarsim në Bashkim Evropian, ndihmat pas termetit, është diskutuar edhe për rajonin në përgjithësi. Në një intervistë për Top Channel, Rama ka folur edhe për Mini-Shengen, një projekt që Kosova e ka kundërshtuar fuqishëm, shkaku i Serbisë.Rama thotë se Merkel e mbështetë këtë proces.

Marketing

“Natyrisht kancelaria është tejet mbështetëse për këtë proces. Madje ne diskutuam dhe ky proces do të gjejë një mbështetje gjithmonë dhe më të madhe. Konsiderohet një nisëm shumë domethënëse dhe fakti që kjo nisëm u ndërmor nga nga tre vende por jo si një nisëm ekskluzive por një nisëm gjithpërfshirëse ku të gjitha vendet janë të ftuara dhe fakti që në fund të ditës kjo nisëm nuk është asgjë tjetër veçse jetësimi i nismave të dakortësuara gjatë procesit të Berlinit e bën kancelarin shumë të inkurajuar dhe shumë të interesuar për procesin”, ka thënë ai.

Bile Rama thotë se Merkel e kupton se sa e rëndësishëm ishte përfshirja e Serbisë në këtë projekt.

“Përfshirë dhe faktin që ajo e kupton shumë mirë dhe e di shumë mirë se çfarë hapi i jashtëzakonshëm është bërë në raport me Serbinë duke e bindur Serbinë që të heqë dorë nga vetoja ose nga refuzimi për të lejuar dhe lëvizjen e lirë të njerëzve që do të thotë: Lëvizja e lirë e njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjë që për fat të keq në Prishtinë nuk duan ta kuptojnë dhe kujtojnë se duke e kthyer këtë në një debat se kush është tradhtari dhe kush është patrioti po i bëjnë ndonjë nder apo të mirë Kosovës”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se ata që po e kundërshtojnë këtë nismë, po e dëmtojnë Kosovën.

“Jo e vërteta është që po e dëmtojnë Kosovën, po e largojnë atë nga miqtë dhe partnerët e mëdhenj të saj dhe po ja ulin në mënyrë krejt të padrejtë reputacionin e madh që Kosova fitoi pas marrjes së të drejtës për të qenë një shtet i lirë dhe sovran. Kështu ne do të vazhdojmë me procesin dhe patjetër që nxitja e gjithanshme edhe nga BE edhe nga gjermania nga SHBA pa diskutim do të jetë që procesi të ecë më tutje”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar ka ironizuar edhe me ata që, asipas tij, kanë bllokuar dialogun me Serbinë deri tash, e ndërkaq tani me ‘dëtyrimin’ e Grenell, po përshendesin marrëveshjet.

“Dhe e fundit fare sigurisht që ka një të dhënë domethënëse të ditëve të fundit që është shtysa e fortë e ambasadorit Grenell duke i detyruar palët dhe madje KFOR të ulet në tavolinë me Beogradin për të nënshkruar linjën e lëvizjes në linjën ajrore Prishtinë –Beograd dhe më pas në hekurudha që u përshëndet me të drejtë nga ata të cilët ndërkohë nuk lenë baltë pa hedhur mbi një proces që e kam nxitur unë dhe që shkon në të njëjtin drejtim. Dhe kjo është diçka që përfitoj nga rasti ta them edhe pse nuk ishte pjesë e drejtpërdrejt e diskutimeve të kancelares që është për të ardhur keq madje për të qenë të dëshpëruar me këtë dyfytyrësi që nga një anë shfaq buzëqeshjen të zgjatur servile dhe nga ana tjetër shfaq dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb”, ka deklaruar Rama në këtë intervistë.

Marketing