Rama: Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm dhe domethënës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, rekomandimin e Komisionit Evropian(KE) për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), e ka konsideruar si të bazuar në fakte, në lidhje me procesin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Rama dhe kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, në një konferencë për mediat kanë folur në lidhje me rekomandimin si dhe për sfidat e ardhshme të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Kryeministri Rama tha se rekomandimi pozitiv dhe pa kushte është sipas tij një afirmim i faktit se Shqipëria i ka bërë me përpikëri të gjitha detyrat e shtëpisë.

“Komisioni Evropian i cili është mekanizmi më i besueshëm lidhur me vlerësimin e ecurisë së një vendi, sot ka konfirmuar rekomandimin pozitiv pa kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Komisioni ka konfirmuar progresin dhe bazuar në fakte, shifra dhe analiza ka rirekomanduar hapjen zyrtare të negociatave”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se reforma në drejtësi që ka ndërmarrë Shqipëria është unike, “gjë që konfirmohet edhe nga fakti se për Komisionin dhe për aktorë të tjerë të rëndësishëm, reforma jonë në drejtësi është një model për t’u shtrirë në rajon.”

“Deri në momentin e vendimarrjes nga Këshilli Evropian është mirë që të mendojmë për Shqipërinë, jo për partinë. Është mirë të mendojmë për gjeneratën tjetër, jo për zgjedhjet e radhës”, tha Rama.

– “Rekomandimi është i mbështetur në progresin e mjaftueshëm”

Soreca theksoi se vendimi i Komisionit Evropian për të konfirmuar vendimin pozitiv është i mbështetur në progresin e mjaftueshëm që i duhet një shteti që duhet të bëjë dhe rezultateve që duhet të tregoje për të hapur negociatat.

“Vlerësimi është se Shqipëria ka arritur përparim, progres të rëndësishëm dhe domethënës në fushat e përcaktuara nga Këshilli në qershor 2018. Duke u mbështetur tek ky përparim i rëndësishëm Komisioni i rekomandon Këshillit që ky i fundit të hapë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë tani dhe pa kurrfarë kushtëzimi. Zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar në mënyrë konsistente. Kemi pasur institucione të reja të vetëqeverisje së gjyqësorit”, theksoi ambasadori i BE-së në Shqipëri.

Ai shtoi se Shqipëria sa i përket të drejtave themelore ka bërë përpjekje për të përmbushur detyrimet që kanë të bëjnë me instrumentet e BE-së dhe ato të tjera ndërkombëtare ligjore. Për administratën publike, sipas ambasadorit Soreca përpjekjet duhen për kuadrin rregullator.

Kujtojmë se sot Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Marketing