Rama uron Kadarenë dhe falënderon Macron që vlerësoi shkrimtarin që i përket gjithë botës

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka uruar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare për vlerësimin nga Franca me titullin më të lartë shtetëror “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Marketing

Rama falënderoi edhe presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili çmoi lart në këtë ditë të parë të dekadës së re një shqiptar që i përket Francës e krejt botës, me plot meritë.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Ismail Kadare shkruan diku, se “në ndryshim nga pasuritë materiale që çdo vend i gëzon për vete, vlerat shpirtërore u binden të tjera ligjeve. Nuk ka popull që të krijojë të tilla vetëm për vete”.

Urdhëri Kombëtar i Legjionit të Nderit, themeluar nga Napoleon Bonaparti më 1802, duket sikur e ka në gjenezën e vet çka shkruan Ismaili mbi “ligjet e tjera” dhe edhe pse specifikisht frëng, ai urdhër botërisht i mirënjohur e admiruar, i përket tërë botës.

Nën ato “ligje”, prej mëse 23 vitesh Franca e ka adoptuar e ngjitur shkrimtarin shqiptar në shkallët e shoqërisë prestigjoze kalorsiake të Legjionit të Nderit, ku ajo rradhit ata që më fort respekton në këtë rruzull. Dhe sot Ismail Kadareja është ngjitur në shkallën e Oficerit të Madh të këtij urdhëri – kështu ai bëhet pjesë e një rrethi fare të ngushtë personalitetesh me këtë titull, në mbarë botën.

Më 1802 themeluesi i Legjionit të Nderit, Napoleon Bonaparti, shprehej: “Duhet krijuar një urdhër që të shenjoje virtutin, nderin dhe heroizmin, një shquarësi që të shpërblejë bravurën dhe përmbledhë në rrethin e vet, elitën e kombit”. Një urim të përzemërt Ismailit dhe një falenderim Presidentit të Republikës Franceze, i cili çmoi lart në këtë ditë të parë të dekadës së re një shqiptar që i përket Francë e krejt botës, me plot meritë

Marketing