Rama: Zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor

Nisja e bisedimeve prej presidentit Ilir Meta mbi një datë të re të zhvillimit të zgjedhjeve, nuk ka sjellë tërheqjen as të opozitës dhe as të mazhorancës.

Nga Divjaka, kryeministri Edi Rama akuzoi paraardhësin e tij Sali Berishën për situatën e krijuar.“Atij plakut të marrë që i ka mbledhur kokat boshe të udhëheqjes së opozitës, si kokrrat e tespijeve të plakut mere”, tha Rama.

Zgjedhjet sipas Ramës do të zhvillohen në 30 qershor, dhe partia që del fituese do të ketë mandat të plotë “Kush humbet zgjedhjet duhet të rijë në parlament dhe të bëjë opozitën, për aq kohë sa e ka mandati. Sikur bota të hynte në logjikën e Ilir Metës, që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej, nuk do kishte më shtet” tha Rama..

Madje Rama solli në vëmendje dhe ndikimin e kryetares së LSI te dekreti i kreut të shtetit “Kam informacion thotë Iliri nga agjensitë serioze ligjzbatuese, domethënë nga filxhani i Monikës”, tha ai.

Rama theksoi se goditjet me molotov dhe deklaratat e opozitës kanë si qëllim vetëm mbjelljen e frikës “Ata që e shkaktuan ’97 janë kaq të dëshpëruar sa i gënjen mendja se mund të tundin para popullit fantazmën e ’97 dhe munsd të tmerrojnë dynjanë me ’97”, tha Rama.. Edhe një herë kryeministri kërkoi pjesëmarrje në votimet e 30 qershorit duke shtuar se opozita zgjodhi vetë të mos bëhet pjesë./Ora News/