Trajneri i FC Shkupit, Zekirja Ramadani dha vlerësimin e tij lidhur me ndeshjen e kthimit të raundit të para kualifikues të Liga Europa. Ai tha se është i kënaqur me atë që treguan futbollistët e tij në këto dy përballje, duke i treguar Renxhersit të madh se edhe në Maqedoni luhet futboll dhe se kemi një skuadër për respekt.

“Dua të uroj kundërshtarin, ndërsa uroj ehde futbollistët e mi për lojën që treguan, besoj se sonte në mënyrën më të mirë e prezantuam ekipin tonë, shtetin tonë, ndërsa mund të them se në disa momente ishim edhe më të mirë dhe nuk u vërejt forca e Rexnhersit. Ky është maksimumi që mundëm të bëjmë në këtë ndeshje dhe mund të them se ekipi më i mirë shkon tutje” – tha Ramadani.

FC Shkupi tashmë gjithë vëmendjen do ta përqëndrojë në kampionatin vendor, i cili starton me 5 gusht, ndërsa skuadra shkupjane shihet si një ndër pretendentët për vendet e para në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.

Rron Broja, pa dyshim se ishte një ndër futbollistët më të dalluar në mesfushën e FC Shkupit edhe në ndeshjen e kthimit në Shkup. Ai vrapoi shumë edhe në këtë ndeshje, ndërsa në deklaratën e tij të dhënë për media pas përfundimit të ndeshjes, reprezentuesi kosovar tha se Renxhersi me meritë kaloi më tej, mirëpo megjithatë në fushë dallimi nuk ishte i madh mes skuadrave, me Shkupin që të paktën doli të jetë një kundërshtarë i barabartë.

“Ishte një kundërshtarë me histori të madhe, mirëpo besoj se kemi dhënë maksimumin dhe se kemi dalë pozitiv nga këto dy ndeshje. Ishte një kundërshtarë shumë i madh, mirëpo besoj se në fushë nuk u pa edhe aq shumë dallimi. Edhe unë mendoj se ekipi më i mirë shkoi më tutje, edhe pse ne edhe njëherë përsëris se dhamë më të mirën nga vetja dhe mund të them se kemi përfituar përvojë nga këto dy përballje” – tha Rron Broja.

Shkupi sonte në arenën “Filipi i Dytë” barazoi pa gola, mirëpo Rexnhersi falë fitores 2:0në ndeshjen e parë shkon më tutje.