Ramush Haradinaj vijon të ketë marrëdhënie të ngrira dhe të mos komunikojë me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Gjatë një interviste në Ora Neës, ai është shprehur se ka qenë i detyruar të mbajë qëndrim në mbrojtje të interest kombëtar dhe se qëllimi i tij nuk është aspak të ndikojë në zhvillimet e brendshme të Shqipërisë.

“ Mua s’më ka ardhur mirë që e kemi pasur një marrëdhënie kështu të prishur mes nesh për shkak se kam jashtëzakonisht shumë respekt për të gjithë bashkëkombësit e mi shqiptar kudo që janë në krejt botën. Vërtet kemi kaluar në situata të vështira me Kryeministrin Rama dhe ende nuk kemi arritur për ta rikthyer komunikimin, unë kam qenë i detyruar të mbaj qëndrime të drejta në mbrojtje të interesit nacional mbarë shqiptar por dhe në mbrojtje të interesit të Kosovës sepse Kosova është Shqipëri. Dëshira ime nuk është që unë të kem rol në zhvillimet e brendshme në Shqipëri, se nuk është detyra ime por e vërteta është që ne kemi hasur në vështirësi të madhe për shkak të qëndrimeve dhe interesave që ka pasur Kosova me Kryeministrin Rama”, u shpreh Haradinaj.

Kujtojmë se retorikat mes Ramës dhe Haradinajt kanë nisur një vit më parë dhe kanë patur si subjekt disa deklarata të ish-Kryeministrit të Kosovës lidhur me temën e shkëmbimit të territoreve.

Kryeministri Rama ngriti një padi për shpifje kundër Haradinajt, të cilën më pas e tërhoqi.