Raporti i ODIHR/ 34 problemet që u evidentuan gjatë votimeve në Shqipëri

Në raportin me përfundimet paraprake për votimet e 30 qershorit, OSBE/ODIHR ka gjetur 34 probleme të cilat kanë shoqëruar procesin elektoral. Mungesa e alternativës për të zgjedhur, presionet ndaj punonjësve të administratës dhe jo vetëm, votimet në grup, pikëpyetjet në vendimmarrjen e KQZ-së apo dhe rrëzimi i dekretit të presidentit nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, janë disa nga gjetjet e vëzhguesve të ODIHR në raportin paraprak të publikuar këtë të hënë, të cilat përbëjnë problematikën dhe parregullsitë që shoqëruan zgjedhjet vendore.

Marketing

KONSTATIME TË PËRMBLEDHURA TË RAPORTIT TË OSBE-ODIHR

1. Zgjedhjet vendore të 30 Qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit.
2. Votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike.
3. Interpretimi dhe zbatimi i ligjit nga aktorët zgjedhorë u perceptua ndonjëherë si i njëanshëm.
4. Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore cenuan besimin e publikut te procesi.
5. KQZ-ja e interpretoi ligjin në mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë, jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike.
6. Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e tyre politike.
7. Mediat mbeten të varura nga pozicionimet politike dhe interesat e biznesit të pronarëve të tyre. Dy televizionet më të ndjekura, Top Channel dhe TV Klan, e mbuluan PS-në me tone kryesisht pozitive dhe neutrale, kurse PD-në me tone kryesisht neutrale dhe negative.
8. Votimi në grup, duke përfshirë edhe votimin familjar, si dhe votimi me prokurë u vu re në 12 përqind të vëzhgimeve.
9. Në muajin Shkurt, pas rrëzimit nga parlamenti të iniciativës së tyre për vetingun e politikanëve, partitë e opozitës, Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), u tërhoqën nga parlamenti. PD-ja dhe LSI-ja, së bashku me disa parti më të vogla, bënë të ditur se nuk do të merrnin pjesë në zgjedhje deri në dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama (PS) dhe formimin e një qeverie tranzitore që do të organizonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
10. Mungesa e qartësisë së disa dispozitave çoi në perceptim njëanësish në zbatimin e tyre nga KQZ-ja.
11. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese, që është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit.
12. Interpretimi i ligjit nga KQZ e la administratën zgjedhore të paekuilibruar politikisht, duke ngritur shqetësime rreth paanshmërisë së komisioneve të të gjitha niveleve.
13. Në vendimet për regjistrimin e kandidatëve dhe për përbërjen e niveleve më të ulëta të administratës zgjedhore, KQZ-ja e zbatoi ligjin në një mënyrë që tregonte njëanshmëri.
14. Disa vendime të KQZ-së, duke përfshirë ato në lidhje me mosregjistrimin e kandidatëve dhe ankesat e tyre, u publikuan me vonesa të konsiderueshme, duke cenuar kështu transparencën.
15. KQZ-ja e interpretoi ligjin në një mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 Prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 Prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore.
16. KQZ-ja hodhi poshtë disa kërkesa për tërheqje të paraqitura nga kandidatë për kryetarë bashkie të Bindjes Demokratike, duke i lënë kështu emrat e tyre në fletën e votimit.
17. Fushata ishte kryesisht e padukshme.
18. Qytetarët u ekspozuan ndaj pikëpamjeve të ndryshme rreth zgjedhjeve, të cilat në shumë fusha, ishin jokonkuruese.
19. Zgjedhësit e mundshëm u përballën me presion për të treguar preferencën politike. Në MVZ-në e ODIHR-it u ngritën pretendime të shumta, sipas të cilave, pavarësisht ndalimeve të miratuara në maj, punonjësit e administratës publike u ndodhën përballë presionesh direkte dhe indirekte për t’u angazhuar në aktivitete politike gjatë dhe pas orarit të punës.
20. MVZ-ja e ODIHR-it pa zyrtarë bashkiakë dhe punonjës të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore në mitingjet e mëdha të PS-së, të cilat në shumë qytete u mbajtën fill pas orarit të punës.
21. MVZ-ja e ODIHR-it vuri re gjithashtu edhe perceptime të gjera mes bashkëbiseduesve dhe publikut se punësimi në sektorin publik varet nga përkatësia politike.
22. Në rrethanat e një numri të vogël kandidatësh dhe shumë garave pa kundërshtarë, zgjedhja thelbësore që iu ofrua qytetarëve në një mjedis fushate përçarës ishte nëse duhet të merrnin apo jo pjesë në zgjedhje.
23. Gjatë gjithë periudhës së fushatës, MVZ-ja e ODIHR-it ka dëgjuar shqetësime nga zgjedhësit e mundshëm se pjesëmarrja apo mospjesëmarrja në votim mund të zbulonte preferencën e tyre politike dhe do t’i ekspozonte ata ndaj pasojave në komunitetet e tyre.
24. Interpretimi i ngushtë i Kolegjit Zgjedhor të legjitimitetit të palëve garuese për të kundërshtuar regjistrimin e garuesve të tjerë cenon të drejtën për t’u ankimuar ndaj ligjshmërisë së regjistrimit të kandidatëve.
25. Shqetësime rreth mungesës në përgjithësi të efikasitetit të hetimeve penale, gjë që çon në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë për krime zgjedhore në të kaluarën, përfshirë edhe veprat e shitblerjes së votave dhe ushtrimin e presionit mbi votuesit.
26. Vëzhguesit e partive ose aktivistët u panë të ndërhynin në administrimin e procesit.
27. Zgjedhësit nuk u kontrolluan gjithmonë nëse e kishin shenjën e bojës së votimit në gisht në një të pestën e qendrave të vëzhguara të votimit, kurse në rreth 10 përqind të rasteve, ata nuk u shënjuan gjithmonë me bojë para se t’u jepeshin fletët e votimit, duke anashkaluar kështu disa elementë garancie kyç kundër votimit të shumëfishtë.
28. Në 16 përqind të qendrave të vëzhguara të votimit, të njëjtët persona tentonin të asistonin disa zgjedhës që kishin nevojë për ndihmë.
29. Votimi në grup, përfshirë edhe votimin familjar, u vu re në 10 përqind të vëzhgimeve.
30. Disa votues kishin frikë se qoftë edhe vetëm pjesëmarrja në votim do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku kandidatët e PS-së garonin pa kundërshtarë.
31. Në rreth 10 përqind të qendrave të vëzhguara të votimit, zgjedhësit nuk e shënjuan fletën e tyre të votimit gjithmonë në mënyrë të fshehtë.
32. Gjatë numurimit, pjesa ballore e fletës së votimit nuk u ekspozua gjithmonë në kamera.
33. Sa i përket verifikimit të materialeve zgjedhore, procesverbalet e mbylljes së votimit nuk u gjetën gjithmonë brenda kutisë së votimit.
34. Kopje të tabelës së rezultateve për qendrat e votimit nuk iu dhanë vëzhguesve.

Marketing