Anësori i Kombëtares se Kosovës, Milot Rashica ka folur për ndeshjen me Kombëtaren e Shqipërisë dhe atë me Bregun e Fildishtë, të cilat miqësore i ka cilësuar të rëndësishme para fillimit të Ligës së Kombeve.

Rashica, që është përzgjedhur nga selektori i Kosovës, Bernard Challandes edhe për ndeshjen me Bregun e Fildishtë, shprehet se Kosova do të sprovojë veten në këto miqësore me një grup të ri të lojtarëve.

“Po besoj janë dy ndeshje të rëndësishme për neve, një test para ndeshjeve të Nations League, më këtë grup dhe këta lojtarë të ri, besoj që do të japim maksimumin”, ka thënë Rashica, për InSporti.

Këto dy ndeshje për Rashicën janë të rëndësishme, për faktin se Kosova do të ketë mundësi të përmirësojë gabimet taktike, kiminë e futbollistëve gjatë lojës dhe gjithashtu të konsolidojë mbrojtjen para se të fillojë gara Nations League.

“Dy ndeshjet e fundit kemi shënuar fitore, normal çdo herë bëhen gabime dhe qëllimi i jonë është t’i përmirësojmë ato gabime para se të shkojmë në kualifikime. Në Nations League jemi në grup i cili nuk është aq i lehtë sa duket, por besoj që kemi lojtarë shumë të mirë dhe gjasat janë shumë reale për tu kualifikuar”, ka përfunduar Rashica.

Kosova do të zhvillojë ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë, në Cyrih të Zvicrës, me datën 29 Maj, në stadiumin e Letzigrund nga ora 20:00.