Rashica: Koha për Kombëtaren

Milot Rashica do t’i bashkohet Kosovës në formë fantastike dhe ka thënë se është gati për ndeshjet e marsit që “Dardanët” i zhvillojnë me Danimarkën dhe Bullgarinë.
Ai shënoi gol sërish në fitoren e Werder Bremen 3:1 kundër Bayer Leverkusen në Bundesligë të dielën në BayArena.

Marketing

Kosovari 22-vjeçar është lojtari më në formë në ligën elitare gjermane bashkë me Robert Lewandowskin e Bayern Munchut në vitin 2019, shkruan Gazeta Express.
Rashica e shënoi golin e dytë të Bremenit në minutën e 37-të, në fitoren kundër Leverkusenit, para se të zëvendësohej nga Harnik në minutën e 65-të.

Në shtatë paraqitje në Bundesligë për Bremenin në vitin 2019, Rashica i ka realizuar gjashtë gola – vetëm Lewandowski ka bërë më mirë se ai, duke shënuar tetë gola dhe dhuruar tri asiste.

“Fitore e madhe para pushimeve. Mbështetje e mrekullueshme nga fansat tanë. Koha për ekipin Kombëtar”, ka shkruar Rashica në Twitter.

Forma shumë e mirë e futbollistit nga Vushtrria vjen në një kohë kur Kosova e nis fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian “EURO 2020”.

Ai ishte ndër lojtarët kyçë të Bernard Challanges në ecurinë historike të vendit në Ligën e Kombeve.
Tani, Rashica rikthehet në formë edhe më të lartë dhe gati për t’i ndihmuar vendit në përpjekjet e tij për ta siguruar kualifikimin historik në “EURO 2020”.

Kombëtarja e Kosovës do të mblidhet nesër në kryeqytet, për t’i nisur stërvitjet ë martën për dy ndeshjet e marsit.
“Dardanët” e presin Danimarkën në një ndeshje miqësore më 21 mars në “Fadil Vokrri”, para se ta nisin fushatën e kualifikimeve kundër Bullgarisë më 25 mars po ashtu në kryeqytet.