Rashica: Kualifikimi në EURO2020 nuk është vetëm ëndrra ime, është ëndrra e të gjithëve

Milot Rashica ka thënë se kualifikimi i Kombëtares së Kosovës në Kampionatin Evropian është një ëndërr e gjithë atyre që janë të lidhur me Kosovën.

Marketing

Ylli i Werder Bremen, siç bën zakonisht, ka zgjedhur Kosovën për të kaluar pushimet.

Derisa po pret të vendoset e ardhmja e tij, Rashicën këto ditë e kemi parë në disa televizione, duke dhënë intervista.

I ftuar në ‘NIN’, Rashica ka folur gjerë e gjatë rreth karrierës së tij, Werder Bremen dhe Kombëtares së Kosovës.

I pyetur nëse kualifikimi i Kosovës në Kampionatin Evropian është ëndrra e tij e madhe, Rashica u përgjigj se ajo është një ëndërr e të gjithëve.

“Kualifikimi në EURO 2020 nuk është vetëm ëndrra ime e madhe, është ëndrra e madhe e të gjithëve”, ka deklaruar Rashica.

Djaloshi nga Vushtrria ka shtuar se atmosfera në ekipin kombëtar mbetet e mirë, dhe se mezi presin ribashkimin.