Kanë përfunduar 4 takimet e para të javës së 29-të në Bundesligë, në të cilën Verder Bremeni i Milot Rashicës buzëqeshi në transfertën ndaj Shalke 04, duke regjistruar fitore minimale 1:0, njofton “infOSport.mk”.

Autorë i golit të vetëm për skuadrën nga Bremeni ishte, Leonardo Bitenkurt në minutën e 32-të, kur pasi pranoi një top nga ylli kosovar, me të majtën e tij shënoi një euro gol, që në fund i siguroi 3 pikë të mëdha skuadrës së Verderit.

Për dallim nga Rashica, futbollisti nga Gostivari, Admir Mehmedi, me Volfsburgun e tij u mund në shtëpi nga Ajntraht Frankfurti (1:2).

Ish sulmuesi i Milanit, Andre Silva në minutën e 5-të kaloi në epërsi Frankfurtin, derisa Kamada në të 85-të shënoi golin e fitores, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë golin e shënuar nga Mbabu i Volfsburgut në minutën e 55-të.

Ndryshe Mehmedi në këtë ndeshje në lojë u inkuadrua në minutën e 61-të, në vend të Zhoao Viktor, mirëpo nuk arriti të ndihmojë skuadrën e tij për të shënuar ndonjë gol në rrjetën e mysafirëve.

Fitore si mysafir shënoi edhe Hofenhajmi, që minimalisht 1:0 mundi Majncin, derisa Herta e Berlinit ruajti nderin e skuadrave vendase, duke shënuar fitore 2:0 përballë Augsburgut, transmeton “infOSport.mk”.

Me fillim në ora 18:30 në program është edhe ndeshja e fundit e së shtunës, ku Bajerni i Munihut do të mirëpret Fortuna Dyzeldorfin e Valon Berishës.