Koronavirusi po vazhdon përhapjen e tij në të gjithë botën, me më shumë se 17 milion raste të konfirmuara në 188 vende. Afro 700,000 njerëz kanë humbur jetën e tyre.

Rastet e sëmundjes po vazhdojnë të rriten në shumë vende, ndërsa vendet që kishin sukses të dukshëm në pëmbajtjen e shpërthimeve fillestare, tani po shohin që infeksionet të rriten përsëri.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) thotë se pandemia duket se po shpaloset në “një valë të madhe”, me pak shenja të variacionit sezonal siç ndodh zakonisht me viruse të tjera.

Disa vende në të gjithë Evropën kanë raportuar një rritje të rasteve, duke ngjallur frikën e rikthimit të masave izoluese.

OBSH thotë se përhapja e virusit në mesin e të rinjve mund të jetë pas shpërthimeve të fundit, pas lehtësimit të masave bllokuese në Evropë.

Shifrat e fundit nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregojnë se shkalla e infeksionit në 28 korrik në Spanjë ishte 44 raste për 1 milion njerëz – krahasuar me 10.5 në Mbretërinë e Bashkuar.

Franca, Belgjika dhe Gjermania gjithashtu kanë parë rritje të rasteve, dhe kanë bërë thirrje të përsëritura në publik për të ruajtur rregullat e distancimit shoqëror dhe higjenës.

Vende të tjera jashtë Evropës që gjithashtu dukej se kishin kontrolluar shpërthimet fillestare, si Izraeli, Australia dhe Japonia, tani po shohin rritje të rasteve.

SHBA ka parë numra rekord të rasteve të reja javët e fundit dhe numri i vdekjeve gjithashtu ka filluar të rritet.

Rritja e rasteve po nxitet nga shpërthime të reja në jug dhe perëndim të vendit, të cilët kanë parë që niveli i infektimeve është rritur pasi shtetet filluan të lehtësojnë masat kufizuese në fund të majit.

Numri i të vdekurve është më shumë se 150,000 – pothuajse një e katërta e vdekjeve të raportuara të koronavirusit në të gjithë botën.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se pandemia e SHBA mund të “përkeqësohet para se të bëhet më mirë”.

Universiteti i Uashingtonit parashikon që numri i vdekjeve mund të arrinte më shumë se 230,000 deri në fillim të nëntorit – megjithëse thotë se kjo mund të zvogëlohet në rreth 200,000 nëse 95% e amerikanëve mbajnë maska ​​në publik.

Përhapja ka pasur një ndikim shkatërrues në ekonominë amerikane, me PBB-në që ka regjistruar një rënie rekord vjetore prej 32.9% në tre muaj nga prilli deri në qershor.

OBSH thotë se Amerika Latine është epiqendra e pandemisë. Brazili ka numrin e dytë më të lartë të rasteve në botë dhe ka regjistruar më shumë se 90,000 vdekje.

Rastet gjithashtu janë rritur ndjeshëm në Meksikë, Peru, Kolumbi dhe Argjentinë.

Në Azi, India tani ka rreth 1.7 milion raste dhe disa shtete kanë ri-vendosur bllokime të pjesshme.

Afrika e Jugut dhe Egjipti kanë parë shpërthimet më të mëdha deri më tani në Afrikë. Por nivelet e testimit raportohen të jenë jashtëzakonisht të ulëta në disa pjesë të kontinentit, të cilat mund të deformojnë vlerësimet zyrtare se sa është përhapur virusi.

Ka pasur më shumë se 17 milion raste të konfirmuara deri më tani dhe afro 700,000 njerëz kanë vdekur.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, u deshën 38 ditë që rastet e infektimit me koronavirus në gjithë botën të shkonin nga 5 milionë në 10 milionë, por nga 10 milionë në 15 milionë u deshën 24 ditë.

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se pandemia e koronavirusit është urgjenca më e rëndë globale që organizata ka parë ndonjëherë dhe se “vazhdon të përshpejtohet”.

Sidoqoftë, ai ka theksuar gjithashtu se, megjithëse virusi është zbuluar në 188 vende, pothuajse gjysma e të gjitha rasteve të raportuara deri më tani ishin nga vetëm tre: SHBA, Brazili dhe India.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se bota është në mes të recesionit më të keq që nga Depresioni i Madh dhe paralajmëroi se mund të duhen dy vjet që prodhimi ekonomik të kthehej në nivelet para-pandemisë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se deri në 265 milion njerëz mund të përballen me urinë deri në fund të vitit për shkak të ndikimit të Covid-19.