Rasti “Monstra”, Aziri akuzon për dhunë, inspektori mohon

Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” ka vazhduar me dëgjimin e dy dëshmitarëve të prokurorisë, punonjës në MPB. Goranço Veselinov, inspektor përgjegjës për kryerje të bastisjes në shtëpinë e Haki Azirit, ndonëse nuk i kujtohet me saktësi i akuzuari, mohon të jetë përdorur dhunë, si pretendon Aziri.
“Nuk janë vërejtur parregullsi, këtë e them me plot përgjegjësi. Këtë e dëshmon edhe procesverbali i shkruar atë natë. Po të kishte pasur lëndime do të ishin notuar në procesverbal.”,- tha dëshmitari.
Përballje me inspektorin kishte edhe vetë i akuzuari, Haki Aziri. Gjatë pyetjeve inspektorit iu kujtua se natën e bastisjes e kanë thirrur ndihmën e shpejtë, por jo edhe pse ajo u thirr e as kishte përgjigje pse ky fakt nuk gjendet në procesverbal. Aziri theksoi se atë natë ia kanë torturuar familjen, gjë të cilën inspektori e mohoi.
Veselinov tha se detyra e tij ka qenë vetëm të kryejë bastisjen duke mohuar se ka qenë i angazhuar në torturat dhe kërcënimet për të cilën Haziri akuzon se ka përjetuar për një javë rresht pas arrestimit. Edhe dëshmitari tjetër i punësuar në MPB, Ivica Bocevski, arsye për moskujtesën e momenteve kyçe për rastin, i arsyeton me kohën e gjatë që ka kaluar nga ngjarja.
“Më 13 prill 2012, kemi marrë informacion për gjetjen e veturës “Opel Omega”. Nuk ishim të sigurt, por u ngritën dyshime për përfshirje në krim.”- tha dëshmitari.
Inspektorit nuk iu kujtua as nëse kanë siguruar video materiale nga kamerat e sigurisë shtetërore apo private, që duhet të ishin regjistruar lëvizjet e veturës nga lagjja Fushë Topanë te liqeni i Smillkovcës dhe vendin ku u gjet, në Vrazhivir. Seanca e radhës do të mbahet më 10 shtator.
Marketing