Rasti “Monstra”, të dhëna të pasakta në ekspertizën e tokës

Ekspertja, Snezhana Nikollovska, që ka bërë ekspertizën e shembujve të tokës në rastin “Monstra”, pranoi që raporti ka përmbajtje shtesë për metoda të ekspertizës që asnjëherë nuk janë realizuar. Këtë për herë të parë e pranoi në seancën e kësaj të premteje, edhe pse është hera e katërt që dëshmon. Këmbënguli se nuk e ka urdhëruar kush të bëjë raport të rrejshëm, por nuk kishte shpjegim se përse megjithatë ka hedhur të dhëna të rrejshme në raport. Nuk kishte shpjegim as se si e nxori përfundimin se dheu i gjetur në gomat e veturës “Opel Omega” përshtatet me atë tek liqeni i Smillkovcës dhe jo me atë në Vrazhivir ku u gjet vetura. Për raportin e rrejshëm avokatët e mbrojtjes paralajmëruan padi penale.

Marketing

“Kjo punë, sipas meje, nuk është bërë me dëshirën e saj, por ka urdhër që nuk donte sot ta tregojë se kush ka urdhëruar, vetëm e pranoi që e ka bërë këtë falsifikim, se nuk ka përdorur asnjë metodë përveç asaj të komparacionit. Në atë procedurë penale që do të ngrihet kundër saj mendoj se do të tregojë edhe direkt se kush është ai që ka dhënë atë urdhër ku do të vërtetohet se kush e ka pasur interesin ta montojë këtë rast.”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Për avokaten e palës së dëmtuar, ekspertja Nikollovska, në mënyrë plotësuese do të shohë në shënimet e saj se si dhe sipas cilave metoda është punuar.

“Ajo nuk tha se ajo tokë nuk i përket vendeve ku kanë analizuar. Ajo tha se gjithçka që ka pasur e ka mbaruar në mënyrë siç ka menduar se duhet me metoda më bashkëkohore.”,- u shpreh avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.

Mes dëshmitarëve kishte edhe inspektorë, si dhe udhëheqësi i njësitit “Alfa”. Për mbrojtjen i dyshimtë është edhe raporti i policisë i krijuar pas vrasjes sa i përket numrit të gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes. Mbrojtja mbetet në propozimin për rikonstruim në vendin e ngjarjes, i cili nuk është bërë deri më tani, thotë mbrojtja. Ndonëse kjo duhej të ishte seanca e fundit e dëshmive, mbrojtja këmbëngul në dëshmitarë të rinj të cilët dolën si pasojë e dëshmive të sotme. Seanca e radhës u caktua për më 16 tetor.

Marketing