Rasti “TNT”/Dauti: Gjykata Penale të mundësojë mbrojtje në shqip

Përmes një komunikate për media, avokati Merxhan Dauti, i cili përfaqëson inspektoren e ndërtimtarisë nga komuna e Gazi Babës, Elizabeta Najdovskën, në lëndën “TNT”, publikisht, nga Gjykata Penale në Shkup, kërkon që t’i mundësohet që mbrojtjen në këtë proces ta realizojë në gjuhën shqipe. Ai rikujton se një gjë të tillë ia mundëson Amendamenti 5 i Kushtetutës dhe neni 9 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ai thotë se edhe pas kërkesës së tij, Këshilli Gjyqësor në Gjykatën Penale nuk i ka siguruar të gjitha dëshmitë dhe procesverbalet në gjuhën shqipe. Me këtë shkelje, sipas tij, u pamundësohet avokatëve të përgatiten për shqyrtim dhe për mbrojtje profesionale.

Marketing

“Gjykata Penale – Shkup, me mosdhënien e procesverbaleve dhe caktimin e seancave të përditshme për lëndën “TNT”, na ndalon të përgatitemi dhe të japim mbrojtje të duhur dhe profesionale, e kjo është presedan në gjyqësi. Mossigurimi i përkthimit të të gjitha dokumenteve dhe materialeve të nevojshme, gjegjësisht mos sigurimi i përkthimit simultan gjatë gjithë procedurës, paraqet shkelje thelbësore të procedurës”,- thotë Dauti.

Ai reagon edhe për dinamikën me të cilën Këshilli Gjyqësor i cakton seancat. Gjatë muajit janar, Këshilli Gjyqësor ka caktuar termine të reja për zhvillimin e seancave, duke filluar prej 13 janarit deri më 27 janar. Do të ketë seanca çdo ditë. Ai thirret në Institutin për Gjykim në afat të arsyeshëm. Dauti akuzon se gjykatësi, Ognen Stavrev, me vetëdije shmang që kërkesa e tij të shënohet në procesverbalin për mbajtjen e seancave, me çka, siç thekson, i pamundësohet parashtrimi i ankesave dhe ndërmarrja e veprimeve të tjera juridike.

Dauti nga katër nëntori i vitit 2019 është avokat mbrojtës i Najdovskës prej kur dhe ka kërkuar që të gjitha materialet të jenë në gjuhën shqipe. Gjykatësi, Ognen Stavrev, që drejton gjykimin për rrënimin e objektit “Kosmos” të Fiat Canovskit, ka paraqitur procedurë disiplinore kundër avokatit Dauti, nën dyshimin se dëshiron të stërgjatë gjykimin me atë që kërkon që t’i përkthehen të gjitha materialet nga gjykimi 2 vjeçar dhe të keqpërdor pozitën zyrtar si avokat. Për këtë qëllim, gjykatësi Stavrev e dënoi me 2 mijë euro.

Marketing