Raufi: ‘Bombat’ do të zbulojnë kryerësit e vërtetë në rastin ‘Monstra’

Shpalosja e dëshmive nga bisedat e përgjuara të ashtuquajtura “bomba”, do të zbardhë se kush janë kryerësit e vërtetë të vrasjes së pesëfishtë pranë liqenit të Smillkovcës në vitin 2012.

Marketing

Kështu deklaroi avokati mbrojtës në këtë proces, Naser Raufi, sipas të cilit “bombat” do të dëgjohen pas përfundimit të dëgjimit të bisedave telefonike nga masat e veçanta të sigurisë, të zhvilluara mes të akuzuarve.

Ai është i mendimit se edhe përkundër ndryshimeve ligjore, rasti deri në fund do të procesohet nga Prokuroria Speciale Publike.

“Unë mendoj se sipas Ligjit që përgatitet për Prokurori Speciale, ku kjo e fundit do të inkorporohet në Prokurorinë e rregullt, mendoj se kjo si problem apsolvohet, do të ketë kontinuitet dhe Specialja do të vazhdojë në këtë lëndë, që është edhe në favorin tonë. Sipas deklaratës së Prokurores Speciale, se do të arrijë të detektojnë se kush janë realizuesit e këtij krimi, mendoj se për dy-tre seanca do t’i mbarojmë provat e vjetra të telefonatave që po i dëgjojmë me masa të veçanta dhe më pas do të vijnë në radhë të ashtuquajturat “bomba”, që ne si palë mbrojtëse i presim dhe jemi të sigurt se janë në favorin tonë”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova, njësoj sikurse avokati Raufi tha se nuk kanë njohuri as për sasinë e dëshmive nga “bombat” e as për përmbajtjen e tyre.

“Arma e dëshmive është në duart e prokurorëve publikë, pasi që ata i kanë dëshmitë që i kanë propozuar, ndërsa çfarë do të dalë prej aty do të shohim në mënyrë plotësuese”,- tha avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.

Seanca gjyqësore është seanca e 4 më radhë që zhvillohet me dyer të mbyllura për opinionin për shkak të prezantimit të dëshmive nga masa të veçanta të sigurisë.

Bëhet fjalë për biseda telefonike të të akuzuarve, detajet e të cilave avokatët mbrojtës nuk i komentojnë

Marketing