Ekspertë nga Sektori i forenzikës Digjitale dhe Kriminalitetit Kompjuterik dëshmuan në Gjykatën Penale për rastin “Monstra”. Ata thanë se kanë kryer ekspertizë të kompjuterëve të marrë nga 20 persona, të akuzuar dhe familjarë të tyre. Ekspertët deklaruan se kanë gjetur komunikime përmes emalit, skype dhe rrjetit social Facebook.

Mirëpo, gjykatësi Ognen Stavrev tha se këto janë informata teknike dhe duhet bërë analizë e përmbajtjes së bisedave. Analiza e tillë do dëgjohet pas disa seancave me prani të publikut dhe gazetarëve. Avokatja e palës së dëmtuar Dafinka Ivanovska thotë se përmbajtja e komunikimit është kyç për zbardhjen e rastit.

“Përmbajtjet nuk janë kompetencë e këtyre ekspertëve, por të një pune shtesë e cila do të prezantohet dhe do të përdoret në gjykatë. Ekzistojnë CD për to, program i posaçëm dhe udhëzim për mënyrën e shikimit dhe vërtetim e këtyre CD-ve, kjo do të thotë se ajo që më së shumti na intereson të gjithë neve do realizohet në vazhdim, dhe ajo është përmbajtja”, tha Dafinka Ivanovska- avokate e palës së dëmtuar.

Ndërkohë, pala mbrojtëse këmbëngul që këto komunikime janë biseda të zakonshme dhe nuk do të zbardhin asgjë. Mbrojtja thotë se Prokuroria Speciale deri më tani është dashur të paraqes prova të reja pasi sipas tyre gjykimi ende po rrjedh njëjtë dhe nuk po zbardhen detaje të reja.

“Nuk dihet intervali kohor se kur janë këto materiale të internet komunikimit, nuk dihet a janë para deliktit apo pas. Sipas meje PSP-ja është dashur që në fillim ti jep provat që i posedon. Ne deri tani nuk kemi kërkuar se cilat janë ato prova duke pritur që do ti prezantoj PSP-ja. Unë mendoj që kjo është arsyeja pse zgjatet ky proces. Si aktakuzë në periudhën finale, tek fjalët përfundimtare do të ketë korrigjime të shumta”, deklaroi Naser Raufi – avokat.

“Në këto komunikime të internetit nuk ka asgjë inkriminuese për vet të akuzuarit”, u shpreh Asmir Alispahiq- avokat.
Seanca e radhës për rastin “Monstra” është caktuar për në 10 dhjetorit kur dhe duhet të dëshmojnë mjekë dhe ekspertë të balistikës. Vrasja në Smillkovë në vitin 2012 la të vdekur pesë persona.

Për këtë rast me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismajloviq, Fejzi dhe Haki Aziri si dhe Sami Luta. Në dhjetor të vitit të kaluar pas rikthimit të rastit për gjykim të serishëm, të akuzuarit u lanë të mbrohen në liri.