RDK: Zgjedhjet presidenciale janë beteja e fundit mes së vërtetës dhe manipulimit

Në kuadër të fushatës së përbashkët të koalicionit prej 31 subjekteve politike Bashkë Përpara, Rilindja Demokratike Kombëtare mbrëmë organizoi takim në Pallatin e Kulturës në Gostivar për t’i informuar bashkëmendimtarët, rreth rëndësisë dhe vlerës që kanë këto zgjedhje presidenciale të vitit 2019. Të pranishmëve iu drejtuan kryetari i RDK-së, njëherit edhe nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë, Vesel Memedi, si dhe Ministri i pushtetit lokal Suhejl Fazliu.

Marketing

Në fjalën e tij të rastit, të pranishmëve iu drejtua kryetari i RDK-së Vesel Memedi, i cili në mes të tjerash theksoi se duhet tu jepet fund manipulimit me popullin shqiptar, dhe se këto zgjedhje presidenciale do të japin grushtin e fundit forcave destruktive në vend, që dëshirojnë të na kthejnë mbrapsht, duke tentuar të deligjitimojnë të gjitha arritjet e deritanishme të popullit shqiptar në vend.

Kryetari Memedi theksoi se duhet rrëzuar poshtë manipulimet e opozitës shqiptare se mund të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta, kur historiku i zgjedhjeve të deritanishme presidenciale, që nga pavarësimi e deri më sot, e hodhi poshtë totalisht këtë tezë.

Teza se kandidati shqiptar duhet të votohet sepse është kandidat i vetëm nuk qëndron sërish, sepse edhe në 2014 pati vetëm një kandidat shqiptar, por u la me 38.000 vota dhe nuk u bë asnjë zhurmë asokohe, dhe se nuk mund të votohet një kandidat shqiptar vetëm se është shqiptar qorrazi, kur dihet se është totalisht në rrugë të gabuar. Teza se tani duhet të masim forcat politike nuk qëndron aspak, sepse historiku dëshmon se zgjedhjet presidenciale nuk janë mjet matës të forcës, dhe se matja e forcës nuk mund të bëhet në kurriz të proceseve euroatlantike.

Kryetari Vesel Memedi gjithashtu theksoi se manipulimi i opozitës se nuk mund të votohet kandidat maqedonas, dhe se kjo është tradhti, është manipulim eklatant kur dihet se kjo tezë nuk qëndron, sepse historikisht shqiptarët gjithmonë kanë votuar kandidat maqedonas në rrethin e dytë. Nuk ka logjik që shqiptarët të jenë tradhtarë në rrethin e parë, kurse patriota në rrethin e dytë! Kryetari Memedi përfundoi fjalimin duke theksuar se tentimi i dy kandidatëve tjerë të opozitës nuk është asgjë tjetër përpos tentimit për të deligjitimuar arritjet e deritanishme të kësaj qeverie, por kjo do të jetë beteja finale ku e vërteta do të ngadhnjejë mbi manipulimin njëherë e përgjithmonë. Presidenti i shtetit zgjidhet me konsensualitet dhe se ky koncept do të sjell presidentin e parë shqiptar në një të ardhme shumë të shpejtë, përfundoi kryetari Memedi.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Ministri i pushtetit lokal Suhejl Fazliu, i cili theksoi se vlerat e guximit, sinqeritetit, drejtësisë si dhe diturisë, janë vlera që gjithmonë sjellin në përfundim të mbarë, dhe dëshmi më e mirë për këtë drejtim është pikërisht koncepti dhe filozofia që ka ndjek RDK me lidershipin aktual të partisë. Se bëhet fjalë për një vizion dhe filozofi avangarde, theksoi ministri Fazliu, u dëshmua me faktin e përputhshmërisë absolute të këtij vizioni dhe filozofie me ato të tërë institucioneve të shtetit dhe mbarë botës së civilizuar botërore, kur të gjithë u çuan në këmbë për të mbështetur dhe përkrahur arritjet madhore dhe historike të këtij koalicioni qeveritar. Shumë shpejt, përfundoi ministri Fazliu, të gjithë ju do të jeni dëshmitarë të pakontestueshëm të këtij vizioni dhe kjo do të sjell satisfaksion gjithëpërfshirës për këtë stoicizëm që keni treguar deri më tani, duke përkrahur këtë vizion dhe filozofi veprimi.

Marketing