Lidhur me deklaratën e presidentit serb, AleksandarVuçiq, i cili më 5 dhjetor ka thënë që “krimi në Reçak është i fabrikuar”, kanë reaguar edhe autoritet e Bashkimit Evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka thënë se “u takon gjykatave të përcaktojnë nëse deklaratat përbëjnë vepra penale. Dënimi duhet të jetë proporcional dhe të marrë parasysh të gjitha elementet e çështjes”.

Pisonero, gjithashtu, ka theksuar që autoritetet duhet të punojnë për një vlerësim të ndershëm dhe të vërtetë të së kaluarës për respektimin e viktimave.

“Një gjë është e qartë, nuk ka vend për të mohuar ose relativizuar ngjarjet që ndodhën në Reçak, në Kosovë, në janar të vitit 1999. Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka thënë Pisonero, duke shtuar se rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Deklarata e presidentit serb Vuçiq ishte reagim ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila bazuar në Nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës, e ka dënuar me 2 vjet burgim ish-ministrin e Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq, nga radhët e Listës Serbe.

Ky i fundit, më 24 mars 2019, në një tubim të qytetarëve serbë në Zveçan kundër intervenimit të NATO-s, publikisht kishte thënë që “Masakra e Reçakut ishte trillim” dhe që “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”.