Rebalanci i buxhetit, përplasje mes pushtetit dhe opozitës

Debati rreth rebalancit të buxhetit në Komisionin për financa u karakterizua me përplasje mes pushtetit dhe opozitës.Deputetët opozitarë kritikuan qeverinë se nuk ka kapacitet të udhëheq me politika ekonomike dhe paratë. Me rebalancin, sipas VMRO-DPMNE-së, pushteti miraton vetëm masa populiste, kurse shkurton projekte kapitale.

“Kjo qeveri nuk ka kapacitet ose nuk do që të udhëheq institucionet dhe t’i investojë mjetet në investime kapitale, gazifikim, spitale, shkolla, çerdhe, por të njëjtat i investon në masa populiste, të cilat kanë për qëllim blerjen e votave në fushatë parazgjedhore dhe pasurimin e personave të afërt me ta”,- tha Dafina Stojanovska nga VMRO-DMPNE.

Por, të kundërtën e pretendon partia në pushtet, sipas të cilës, me rebalancin paratë shkojnë drejtpërdrejt te qytetarët.

“Tregojuni qytetarëve cila është porosia juaj? A të kthehen paratë te qytetarët apo të mos kthehen te ata? A jeni për rritje të pagave, apo nuk jeni për rritje të pagave? Për shkak se një kohë të gjatë e keni kritikuar projektin “TVSh-ja Ime” dhe patjetër duhet t’ju them se kemi arritur jo vetëm ato qëllime të cilat përmendet, në fakt kthimin e parave te qytetarët, por mundëson edhe kontroll nga vet qytetarët”,- u shpreh Keti Smilevska nga LSDM.

VMRO gjithashtu akuzoi pushtetin se me rishikimin e buxhetit ka lënë pas dore sektorin e kulturës.

“Me rebalancin e buxhetit, qeveria e LSDM-së shkurton 182 milion e 100 mijë denarë para të parapara për zhvillim dhe përparim të kulturës, trashëgimisë kulturore dhe investime në kulturë”,- u shpreh Magdalena Manaskova nga VMRO – DPMNE.

Por, zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi, u kundërpërgjigj se për kulturë janë paraparë mjaft mjete të nevojshme për shumë projekte kapitale.

“Në buxhetin e Ministrisë së Kulturës kemi rritje të mjeteve të planifikuara prej 96 milion denarë. Rriten mjetet e Agjencisë së Filmit, në pjesën e investimeve kapitale rriten mjetet për Teatrin Shqiptar. Gjithashtu kemi ndarë 106 milion euro për nivelizimin e rrogave në sektorin e kulturës”,- theksoi zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.

Me rebalancimin e buxhetit, të ardhurat totale janë planifikuar në nivelin 210.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale janë përcaktuar në 228.3 miliardë denarë.

evn