Reduktim drastik i ndotjes së ajrit në Europë

Masat e ashpra kundër përhapjes së koronavirusit u kanë dhënë qyteteve europiane ajër më të pastër. Prania e gazrave helmues si dioksidi i azotit pësuan rënie drastike për periudhën 5 – 25 Mars në qytete si Brukseli, Parisi, Madridi, Milano e Frankfurti, që konsiderohen edhe qytetet më të ndotur të Bashkimit Europian. Kjo hartë satelitore e agjencisë hapësinore europiane ESA tregon qartë se nuancat e theksuara të ngjyrës blu që pasqyrojnë ndotjen e lartë në zonat problematike, janë zbehur ndjeshëm deri në Mars të 2020-ës krahasuar me një vit më parë. Zonat më të ndotura të Europës janë veriu i Italisë, zona më e industrializuar e gjithë vendit. Siç tregon harta, rënia e aktivitetit industrial dhe qarkullimit të automjeteve për shkak të masave të ashpra kundër koronavirusit ka ulur edhe ndotjen. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me rajonet perëndimore të Gjermanisë, zemra e industrisë në vend, me veriun tepër të industrializuar të Francës, etj. Pikërisht këto zona kanë edhe numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus. Ekspertët e shëndetësisë e lidhin këtë me faktin se gazrat helmues dëmtojnë rëndë sistemin imunitar dhe mushkëritë, duke i bërë shumë më lehtë të prekshme nga viruse vdekjeprurëse si koronavirusi.

Marketing