‘Referendumi’, Bajrami: Deri tani vetëm një padi për mito nga një parti

Komisioni i përkohshëm i Prokurorisë Publike, që monitoron shkeljet eventuale gjatë fushatës për referendumin dhe në vetë ditën e votimit, ka pranuar një padi penale për mito nga një subjekt politik. Por, kreu i këtij komisioni, Xhelal Bajrami, nuk deshi ta konfirmojë se cila parti dhe për kë është ngritur kjo padi.

Marketing

“Deri më tani ka vetëm se një paraqitje në Prokurorinë Themelore të qytetit të Shkupit. Lënda e paraqitur në këtë prokurori është dërguar në kompetencë të Prokurorisë Themelore të Kumanovës. Është një rast i paraqitur nga ana e një partie politike. Po punohet në rastin”,- tha kryetari i komisionit, Xhelal Bajrami.

Sipas Bajramit, deri më tani nuk ka indikacion për vepër penale. Atmosferën në terren e vlerësoi si të qetë por apeloi që nëse ka dëshmi për parregullsi eventuale, qytetarët apo subjektet t’i paraqesin pranë këtij komisioni i cili tashmë ka gati edhe ekipet e kujdestarive plotësuese gjatë fundjavës. Parregullsitë eventuale mund të paraqiten edhe në adresën elektronike të komisionit.

“Bëj apel tek të gjithë qytetarët, gjithë shoqatat joqeveritare, partitë politike, të gjithë faktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë, të gjithë ata që eventualisht do të vërejnë ndonjë parregullsi ligjore lidhur me organizimin dhe mbajtjen e referendumit, të gjitha t’i paraqesin në adresën e cila është e hapur për nevojat e Komisionit [email protected]”,- theksoi kryetari i komisionit, Xhelal Bjrami.

Komisioni i përkohshëm është formuar me vendim të Prokurorisë Publike, me qëllim të përcjelljes së aktiviteteve para dhe gjatë referendumit. Në rastin e paraqitjes së ndonjë veprimi të kundërligjshëm do të merren masa sipas kapitullit 16 të Kodit penal.