Qytetarët vet të vendosin nëse do të votojnë “Për” apo do të bojkotojnë. Ky është mesazhi më i ri i presidentit Gjorge Ivanov gjatë vizitës së Diasporës në Nju Xhersi, duke kritikuar Marrëveshjen e Prespës. Prej popullit varet a do të mbeteni “të zotët e shtëpisë” apo juridikisht do të shkëputemi si popull, ka thënë Ivanov. Ky është mesazhi i dytë me radhë i shefit të shtetit që vjen nga vizita e tij në SHBA, pasi një ditë më parë për herë të parë prerazi, ai personalisht tha se do ta bojkotoj referendumin.

Asnjë politikan nuk ka mandat që të negociojë për identitetin e një popullit. Shumica e qytetarëve të Maqedonisë nuk kanë votuar për programin, në të cilin parashihet ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, për shkak të ndërrimit të emrit kushtetues të shtetit. Kështu që, as qeveria aktuale nuk ka mandat prej popullit, as nga votuesit, për ndërrimin e identitetit, për të hequr dorë nga Diaspora, për humbjen e historisë dhe memories”- tha Gjorge Ivanov, president i RM-së.

Ndërsa në Shkup, presidentit Ivanov iu kundër- përgjigj shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov. Sipas tij, bojkotimi i presidentit ndaj referendumit është ikje nga përgjegjësia, duke përkujtuar se hapa të ngjashëm Ivanovi ka marrë edhe gjatë shpalljes së faljes dhe mosdhënies së mandatit për Zaevin për formimin e qeverisë së re.

“27 vite kontekst i pazgjidhur, të thuhet pas paralajmërimit në fushatë do të ketë referendum, kur do të ketë zgjidhje të përbashkët të pranuar me Greqinë në tavolinë do t’i pyesim qytetarët, të thuhet se nuk duhet votuar, kjo është ikje e turpshme nga përgjegjësia dhe kjo nuk thuhet nga Maqedonia, por përtej oqeanit. Edhe unë si qytetar kam problem të madh me këtë”, u shpreh Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.

Kritika ndaj qëndrimit të Ivanovit erdhën edhe nga LSDM-ja. Në një javë kyçe për të ardhmen, Ivanov vendosi të mos e braktiste idenë e izolimit të vendit, thuhet në komunikatën e partisë

“Mbetja e fundit e regjimit kriminal të VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, është kundërshtar i demokracisë, sepse e konteston mjetin më të rëndësishëm demokratik, votimin. Ndërsa, pikërisht nëpërmjet votimit dhe zgjedhjeve, Ivanovi u bë president. Qëndrimi i Ivanovit është një ikje e turpshme nga përgjegjësia”, njoftojnë nga LSDM-ja.

U kundërpërgjigjën nga VMRO DPMNE, duke thënë se për Zaevin, ndryshimi i Kushtetutës për të zhdukur një komb dhe për të krijuar një shtet të ri pa të kaluar, është një lojë kumari.

“Askush nuk ka të drejtë të vë bast me identitetin, traditën, historinë dhe kulturën e Republikës së Maqedonisë. Askush nuk ka të drejtë të luaj bixhoz dhe ta vë në bast emrin e shtetit, qytetarët e Republikës së Maqedonisë ose atë që na e kanë lënë gjeneratat para nesh të cilët nuk e kanë kursyer as jetën vetëm për të luftuar për një shtet sovran, në të cilin do të jemi zot shpie. Askush nuk i ka dhënë Zaevit të drejtë për të luajtur bixhoz me emrin dhe Kushtetutën”, u shpreh Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Partitë e koalicionit “për” vazhdojnë fushatën kurse VMRO-DPMNE-ja nuk merr pjesë në fushatë, por ka ftuar mbështetësit e saj të votojnë sipas bindjeve të tyre.

Alsat-M