Referendumi, Osmani: Fushata më shumë do të jetë informative

Fushata për referendumin më shumë do të jetë informative se sa propaganduese. Vlerësoj se qytetarët nuk kanë nevojë të binden, por duhet të informohen për çështjet nga marrëveshja, sepse konsiderojmë se për momentin handikapi më i madh është në fakt mosdija e informacioneve të sakta nga marrëveshja, duke pasur parasysh se sipas anketës vetëm tre për qind e qytetarëve e kanë lexuar marrëveshjen.

Marketing

Këtë sot e deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, pas panelit që u mbajt në Klubin e deputetëve me rastin e 17-vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Lidhur me atë se si do të zhvillohet fushata për referendumin, Osmani tha se ka dy nivele të fushatës – Qeveria do të ketë strukturë të organizuar në të cilën do të marrin pjesë partnerët e koalicionit, megjithatë edhe partitë politike veçmas, të cilët do të formojnë shtabe nga niveli qendror deri në nivel më lokal të bashkësive lokale.

“Fushata ka për qëllim t’u prezantojë qytetarëve se në fakt cilat janë pozicionet konkrete të marrëveshjes, cilat janë pasojat pozitive nga implementimi – anëtarësimi në NATO dhe BE dhe cilat janë aspektet negative nga mossuksesi i referendumit”, tha Osmani.

Tha se ekziston periudhë kohore kur zbatohet fushatë dhe maksimalisht si Qeveri janë të angazhuar të dërgojmë porosi për ardhmërinë se sa për evoluimin e të kaluarës.
Osmani tha se Marrëveshja e Ohrit tashmë dy dekada është bazë e marrëdhënieve stabile ndëretnike, por edhe bazë mbi të cilën sot Maqedonia po e ndërton demokracinë e saj funksionale multietnike dhe multikulturore.

“Në këtë pikëpamje Marrëveshja e Ohrit paraqet edhe simbol të integrimit të brendshëm të RM-së dhe udhërrëfyes i mirë për zgjidhjen e sfidave me të cilat sot ballafaqohemi, ndërsa ajo është që ta kompletojmë edhe integrimin e jashtëm të RM-së. Pikërisht në këtë drejtim sot po e shënojmë këtë përvjetor tematikisht përmes panelit, ndërsa tema është pikërisht lidhja mes Ohrit dhe Brukselit siç janë të lidhura proceset e integrimit tonë të jashtëm dhe të brendshëm”, tha Osmani.

Në pyetjen pse dy nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit sot nuk morën pjesë në shënim, Osmani tha se personalisht ka biseduar me të dytë. Lupço Georgievski i ka premtuar se do të marrë pjesë, por me siguri nuk ka mundur të arrijë, ndërsa Branko Cërvenkovski fizikisht nuk ka qenë në Shkup që të marrë pjesë në shënim.

Marketing