Reflekton Carovska, kumtesat tani dërgohen në dy gjuhë

Pas ndërrimit të ministrit, kumtesat nga Ministria e arsimit dhe shkencës filluan të lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase, por pas raportimit të TV21 për këtë çështje, u rikthye praktika e përdorimit të shqipes.

Marketing

Ministria të cilën e mori në dorë Milla Carovska reflektoi dhe kumtesat tani po lëshohen në dy gjuhë.

“Kumtesat e ministrisë së Arsimit tani po vijnë në dy gjuhë.

T’i shohim kumtesat e fundit.

Këto janë të fundit, kumtesat janë shkruar në dy gjuhë.

Në gjuhën maqedonase si dhe në gjuhën shqipe.

Edhe logo është ndryshuar. Më herët ishte vetëm në gjuhën maqedonase, tani është në dy gjuhë edhe në gjuhën shqipe”, Afrim Jonuzi, gazetar.

Para disa ditëve kur TV21 e pyeti ministren, ajo tha do të punojë sipas mënyrës së vet dhe se dygjuhësia do të praktikohet.

“Nuk kemi ndryshuar asgjë të re, për mua problematike është se, në Ministrinë e punës dhe politikës sociale, memorandumi ishte në dy gjuhë, këtu shoh se kur drejtohen shqip është shqip, dhe kur drejtohen maqedonisht është maqedonisht. Pas këtij tregimit tuaj ne do të bëjmë të njëjtën praktikë sikur tek Ministria e sociales, do të kemi edhe maqedonishte edhe shqip”, deklaroi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Drejtori i agjencisë së gjuhëve Ylber Sela,  thotë se deri tani nuk ka ardhur ndonjë ankesë se Ministria e arsimit ka shkelur ligjin e gjuhëve, por nëse do të ketë një gjë të tillë, atëherë do të merren me rastin.

Ndërkohë para disa ditëve në kuvend deputetët e ASH-AAA lëshuan seancën e komisionit për arsim, pasi materialet i kishin marr vetëm në gjuhën maqedonase.

Ndryshe, ligji për përdorimin e gjuhëve thotë që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Marketing