Reforma e pensioneve, Franca në ditën e dytë të grevës

Greva kundër reformës së planifikuar të pensioneve, që paralizoi Francën të enjten, ka hyrë në ditën e saj të dytë.

Marketing

Disa sindikata, mes të cilave ato të punonjësve të hekurudhës dhe metrosë, vendosën të zgjerojnë aksionin, çka do të thotë edhe një tjetër ditë problematike me ndërprerje të shërbimeve kryesore. Kjo vjen pasi më shumë se 800 mijë vetë protestuan të enjten, me përleshje të dhunshme të raportuara në një numër qytetesh.

Punëtorët janë të zemëruar për reformën e planifikuar të pensioneve që do të bëjë që ata të dalin më vonë në pension ose të përballen me pagesa më të reduktuara. Franca aktualisht ka 42 skema të ndryshme pensionesh në sektorët privatë dhe publikë, me variacione për sa i takon moshës së daljes në pension dhe përfitimeve. Presidenti Emmanuel Macron thotë se planet për një sistem universal të bazuar tek pikët, do të ishin më të ndershme, por shumëkush nuk është dakord.

Punonjësit e hekurudhës vendosën ta vazhdonin grevën edhe të premten ndërsa sindikatat e operatorit parizien të autobusëve dhe metrosë thanë se greva e tyre do të vazhdojë të paktën deri të hënën. Shumë trena në Paris janë të ndalur të premten dhe 10 nga 16 linjat e metrosë së kryeqytetit janë mbyllur ndërsa shërbimet e tjera janë të kufizuara.

Linja trafiku më të gjata se 350 km janë raportuar në shumë rrugë kryesore në dhe përreth kryeqytetit francez. Edhe një numër fluturimesh po ashtu janë prekur me shumë shkolla që do të mbeten të mbyllura dhe me spitalet me staf të reduktuar.

Marketing