Kërkesa e dorëzuar nga avokatët e Nikolla Gruevskit për përjashtimin e prokurores publike speciale Katica Janeva është refuzuar si e palejuar, duke i pasur parasysh dispozitat e Ligjit për Procedura Penale dhe të Ligjit për PPS-në.

Kryetarja e këshillit gjyqësor të Gjykatës së Apelit, Cvetanka Periq tha se meqë kërkesa për përjashtim është refuzuar, nuk ekzistojnë pengesa për vazhdimin e seancës publike për ankesën e aktgjykimit të shkallës së parë për Gruevskin dhe Gjoko Popovskin për lëndën “Tanku”.

Në seancë nuk marrin pjesë Gruevski, si dhe mbrojtësit e tij Dimitar Dangov, Sanja Aleksiq, Danço Nakov dhe Boro Tasevski, të cilët e kanë njoftuar Gjykatën se nuk kanë mundur të vijnë sepse janë të angazhuar në lëndë të tjera në Gjykatën Penale. Gjoko Popovski dhe avokati i tij Sterjo Zikov erdhën në Gjykatën e Apelit.

Para gjykatës ka forca policore, ndërsa ka edhe qytetarë të cilët protestojnë.

Për rastin “Tanku”, gjegjësisht për furnizimin e “mercedesit” luksoz në vlerë prej 600 mijë euro, ish-kryeministri Nikolla Gruevski si nxitës për kryerjen e veprës është dënuar me dy vjet burg, ndërsa ish-zëvendësministri në MPB Gjoko Popovski me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg.

Në Gjykatën Penale në Shkup për “Tanku”-n po zhvillohet procedurë e ndarë kundër ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska.