Refuzoi izolimin, Suedia shënon rritje rekord të rasteve me KOVID-19

Suedia, vendi që shmangu izolimin, raportoi një rritje rekord të rasteve të reja me COVID-19 këtë të enjte. Në 24 orët e fundit u regjistruan 4,034 raste pozitive.

Marketing

Autoritetet Shëndetësore shprehen se vala e dytë është më e ashpër se periudha e pranverës. “Ka një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve në të gjitha rajonet. Tani ne po regjistrojmë një rritje të konsiderueshme të numrit të pacientëve në kujdes intensiv” tha Karin Tegmark Wisell, kreu i departamentit të mikrobiologjisë të agjencisë shëndetësore.

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Suedez Stefan Lofven deklaroi se është vetë-izoluar dhe po testohej pasi mësoi se një person afër tij kishte takuar dikë që u konfirmua më vonë se kishte COVID-19.

Suedia ka shënuar vazhdimisht rekorde ditore në javët e fundit. Po ashtu shtrimet në spital dhe vdekjet nga Covid-19 kanë ardhur gjithnjë në rritje.

Në 24 orët e fundit u shënuan 5 viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 6,002. Shkalla e vdekjes për frymë në Suedi është shumë herë më e lartë se në vendet fqinje, por më e ulët se në disa vendet e mëdha evropiane, të tilla si Spanja dhe Britania.