Më shumë se 170 punonjës në spitalin Houston Methodist në Teksas janë pezulluar nga puna për dy javë pasi refuzuan të marrin vaksinën kundër Covid-19.

Kompania paraqiti një politikë të re muajin e kaluar, duke kërkuar nga 26 mijë punëtorët e saj të marrin të dyja vaksinat nga kompanitë Pfizer-BioNTech ose Moderna apo vaksinën Johnson & Johnson deri më datën 7 qershor.

Houston Methodist tregon se 24,947 të punonjësve janë vaksinuar, por një grup i vogël i punëtorëve kanë refuzuar të marrin vaksinën. Ndërkaq 178 punëtorë që nuk u vaksinuan janë pezulluar nga puna për dy javë pa pagesë. Tani nuk dihet nëse ata do të mund të kthehen në punë pas përfundimit të pezullimit.

Në fillim të këtij muaji, 117 punonjës paditën Houston Methodist, duke pretenduar se spitali po i detyron punonjësit të marrin vaksinën. Ata gjithashtu pretendojnë se vaksinat e koronavirusit janë ‘eksperimentale’, sepse ata kanë marrë vetëm autorizimin e përdorimit emergjent dhe jo miratimin e plotë të Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) të SHBA.

Pas pezullimit të hënën, dhjetëra punëtorë protestuan jashtë spitalit. Jennifer Bridges, infermiere e spitalit, ka thënë se askush nuk duhet të detyrohet të vendos diçka në trupin e tij nëse nuk dëshiron.

Aktualisht, të tre vaksinat që janë në gjendje të disponueshme për COVID-19 në SHBA dhe kanë dhënë autorizimin e përdorimit emergjent nga FDA dhe janë në pritje të provave të mëtejshme për të marrë miratimin e plotë.

Vaksinat do të lejohen të merren për sa kohë që vendi është në një gjendje emergjente në lidhje me COVID-19, e që do të jenë deri në mars të vitit 2022, transmeton klankosova.tv.

Artikulli paraprak300 euro gjobë për turistët nëse marrin rërë nga ky plazh!
Artikulli tjetërDASH mbështet hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën