Regjistrimi i diasporës, brenda 24 orësh u regjistruan mbi 23 mijë qytetarë

Fundjavën që lamë pas është vërejtur një interesim i madh nga diaspora për t’u regjistruar përmes aplikacionit për vetë-regjistrim, ndërsa deri në orën 08:30 minuta të mëngjesit të së hënës u evidentuan gjithsej 121.520 persona, apo rreth 23 mijë qytetarë vetëm në 24 orët e fundit.
Deri te një mobilizim i diasporës ka ardhur pasi shumë aktivistë vullnetar që jetojnë në diasporë, kanë ndihmuar këtë proces. Njëri ndër ta është edhe Kasam Selimi. Në një prononcim për TVM2 ai shprehet se falë mobilizimit të mërgimtarëve, gjithandej gjatë kësaj fundjave numri i të regjistruarve është shtuar në 100 për qind për dallim nga ditët tjera.
“Dje dita ime ka filluar prej orës 9 dhe ka përfunduar në orën 1 të natës. Ka qenë një interesim i jashtëzakonshëm nga të gjitha anët, Austri, Zvicër, Gjermani dhe gjithandej thirrje, mesazhe… besoj u jam përgjigjur 99%, po edhe ata shokët e mi tjerë të cilët jemi kyçur në mënyrë vullnetare si aktivistë të këtij procesi dhe ju kemi dalë në ndihmë të gjithë të interesuarve që kanë dashur që gjatë ditës së djeshme ta kryejnë këtë proces dhe është arritur numër rekord.”,- tha aktivisti vullnetar, Kasam Selimi.
Selimi u bëri thirrje mërgimtarëve që të vazhdojnë të regjistrohen pa rënë pre e dezinformatave nga qarqe të ndryshme, ndërsa shton se një rritje e të regjistruarve të rinj pritet të kenë gjatë fundjavës së ardhshme kur pjesa më e madhe e mërgimtarëve janë në pushim.
“E ripërsëris apelin, këto numra 22 mijë të mos i presim gjatë ditëve të punës, sepse shumica e njerëzve punojnë me orare të ndryshme dhe dikush kthehet në 22 të natës në shpi, dikush në orën 21 dhe janë d.m.th. njerëz me obligime. Ne prapë mund të presim rritje, numra bukur të mirë në fundjavë ku pjesa më e madhe e familjeve janë në shtëpi. Fundjava do të jetë e zjarrtë, por nuk duhet të bimë pre e ndonjë dezinformate të paverifikuar.”,- theksoi aktivist vullnetar, Kasam Selimi.
Mobilizim për t’u regjistruar vërehet sidomos nga diaspora në Zvicër, Gjermani, Itali, Austri, por edhe në SHBA dhe shtetet tjera, ku në shërbim të regjistrimit janë vënë organizata, klube, xhami dhe individë të cilët në bazë vullnetare po e mbështesin procesin e regjistrimit.
Marketing