Reka dhe Siljanovska një paradhomë e një bashkëpunimi në raundin e dytë?

Në një spot publicitar të përbashkët mes kandidatëve për president Gordana Siljanovkës, nga radhët e VMRO DPMNE-së dhe Blerim Rekës, kandidat i përzgjedhur nga ASH dhe Lëvizja BESA, është lënë anash kandidati i përzgjedhur nga partitë qeveritare Stevo Pendarovski.

Që të tre kandidatët do të garojnë në rrethin e parë me 21 prill, e sipas krejt para-llogaritjeve Blerim Reka do të ndalë garën në rrethin e pare të cilën pastaj e vazhdojnë Penderovski dhe Siljanovska.

Shfaqja e vetëm dy kandidatëve sipas vëzhguesëve vendorë, është “një prezantim ndryshe, simpatik dhe kreativ”. Ndërsa, mungesa e kandidatit të tretë është konsideruar si i dyshimtë.

Të njëjtit madje thonë se Svilanovska dhe Reka kanë të përbashkët edhe ideologjinë djathtiste.

“Nuk e di nëse bëhet fjalë për ndonjë projekt apo iniciativë të përbashkët të partive opozitare, por më duket një prezantim ndryshe, simpatik dhe kreativ i dy kandidatëve për president shteti. Do të ishte mirë që në këtë video prodhim të ishte edhe kandidati i tretë Stevo Pendarovski. Ajo që shihet në këtë video është ana tjetër e Rekës dhe Siljanovskës, ajo anë përtej politikës, pra ajo personale dhe profesionale.

Nuk e di nëse kjo mund të quhet një paradhomë e një bashkëpunimi në raundin e dytë zgjedhor, por në video shfaqen shumë ngjashmëri midis dy profesorëve universitarë që pretendojnë kreun e shtetit”, thotë analisti Xhelal Neziri, për Zhurnal.mk.

I pyetur nëse ky “bashkëpunim” ndryshe kuptohet se dy partitë janë të afërta sipas ideologjisë sepse janë djathtiste, Neziri thotë se kjo është pika e tyre e përbashkët.
“Platforma e Rekës për Republikën është koncept djathtist. Siljanovska poashtu mbështetet nga një parti djathtiste siç është VMRO-DPMNE. Pra, Reka dhe Siljanovska ideologjikisht i përkasin të njëjtës proviniencë politike. Mungesa e Pendarovskit në këtë video mund të interpretohet edhe si tregues i një rigrupimi që pritet të ndodhë pas raundit të dytë, por së pari duhet parë kush e ka ideuar videon dhe për çfarë qëllimi. Këtë përgjigje me siguri e kanë shtabet e dy kandidatëve”, tha , për Zhurnal.mk

Partia e Ziadin Selës, ASH-ja deri më tash nuk ka menduar që të bëjë koalicion me partinë opozitare të VMRO-DPMNE-së, edhe pse kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari thotë se ideologjikisht janë më afër me VMRO-DPMNE-në, sesa me LSDM-në.
“Kur them ideologjikisht, mendoj për atë se të dy partitë janë djathtiste. Ndryshe, më të afërta janë VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja dhe ideologjike në mënyrën e udhëheqjes së shtetit. Dueli qeveritar nuk është shumë i ndryshëm, sepse BDI-ja i jep të gjitha karakteristikat e qeverisë së re të ngjajë me regjimin”, tha Taravari.
Sipas Shtabit zhgjedhor të Rekës, kjo video nuk është prodhim i shtabit REKA dhe as video e porositur për shtabin e tyre.

“Ajo as që ka qarkulluar ndonjëherë nga faqja jonë zyrtare, por në faqe të ndryshme në FB. Autor i kësaj video është: Другата страна на политиката (Ana tjetër e politikës), i cili ka realizuar idenë për 3 profile të 3 kandidatëve presidencial. Kërkesës së tij i janë përgjigjur kandidati ynë dhe kandidati i VMRO- DPMNE-së, por jo edhe kandidati i LSDM-së. Nga kjo është krijuar huti se në mungesë të kandidatit të tretë, dy kandidatët ‘kanë xhiruar një video të përbashkët’ që nuk është e vërtetë. Përmes kësaj kumtese zyrtare mohojmë çdo inskenim dhe çdo insinuatë kundër kandidatit tonë presidencial se kinse ka video të përbashkët me kundër kandidaten Gordana Siljanovska”, thonë nga Shtabi REKA.

Nga ana tjetër, analisti Branko Geroski, për Zhurnal.mk, thotë se “është mirë që kandidatët të pranojnë këtë lloj konfrontimi”, ndërsa, nuk ka komentuar arsyen se ç‘dobi ka ky konfrontim.

Iniciatorët e kësaj interviste që shfaqet në një video thonë se kanë trokitur edhe në derën e Pendarovskit, por nuk e kanë hapur derën.

“Erdhëm në një ide, të kërkojmë “njeriun” në kandidatët tanë presidencial, jo politikanë në to. Për këtë qëllim, ne dërguam një ftesë për intervistë në selinë zgjedhore të kandidatëve. Ata që kanë pranuar ju mund të shihni në këtë video ekskluzive, dhe për të tretin shpresojmë për një takim kreativ kur do ta hapin derën në të cilën kemi trokitur”, thonë nga “Ana tjetër e politikës”.

Kandidati për president i LSDM-së, Stevo Pendarovski mohon se ai ka marrë një ftesë për intervistë nga “Ana tjetër e Politikës”, në një faqe në Facebook.

“Nuk është e vërtetë që kam marrë një ftesë për një regjistrim të tillë. Por unë e kuptoj nëse Siljanovska donte të bënte një video vetëm me kandidatin Reka. Ajo që është ende shqetësuese është arratisja e saj nga debate, në Tv Telma, për të cilën nuk ka shpjegime të mëtejshme”, shkruan Pendarovski në faqen e tij të Twitter.