Reka dorëzon në KSHZ kandidaturën për president

Në Zyrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, u deponuan nënshkrimet e para për kandidaturë për zgjedhjet presidenciale. Blerim Reka është kandidati i parë që ka dorëzuar atë, ndërkaq kanë mbetur edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e kandidaturave.

Marketing

Shefi i Shtabit Zgjedhor të Blerim Rekës, Florin Asani, tha se presin që brenda 48 orëve të bëhet konfirmimi i kandidaturës, pas çka pasojnë 10 ditë pauzë, ku do të fokusohen në fushatën zgjedhore që zyrtarisht fillon më 1 prill.

“Ishim sot për të deponuar nënshkrimet e mbledhura për kandidaturën e profesorit Blerim Reka, e dorëzuam, u kompletua dokumentacioni. Prej tash në afat prej 48 orësh KSHZ e konfirmon kandidaturën për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prej kësaj, pas fazës 21 mars, kemi një pauzë prej 10 ditëve, e shfrytëzojmë këtë që të fokusohemi në fushatën që vjen pas një prillit.”, deklaroi Florian Asani, shef i shtabit zgjedhor të Blerim Rekës.

Asani tha se varësisht prej grupit të interesit fushata do të mund të zhvillohet në të gjithë territorin e shtetit, dhe do të kërkohen votat e të gjitha bashkësive etnike. Ndërkaq akoma nuk është vendosur sllogani për fushatën. Ai shtoi se po rrjedhin përgatitjet e agjendës, dhe se kur të vendoset mënyra e zhvillimit të fushatës, opinioni do të informohet me kohë.
“Koncepti i profesorit Blerim Reka e bën më të veçantë prej kandidatëve të tjerë. Ne preferojmë që ai vet ta prezentojë programën e vet, do të kemi një fushatë më ndryshe këtë herë, kemi një koncept të ri. Profesori Reka, domethënë nëse dëgjohet nga të gjitha palët dhe nëse Maqedonia ka arritur në nivel të pranojë vetëm një kandidat pak më kualitativ, mendoj se do të jemi fitues në këtë garë.”, deklaroi Asani.

Sipas kalendarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 21 marsi është dita e fundit kur kandidatët do të mund t’i dorëzojnë nënshkrimet për kandidaturat e tyre, ndërkaq për këto zgjedhje presidenciale, janë tre kandidatë që do të garojnë për këtë post.

Blerim Reka është kandidati i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. Ndërkaq, kandidatët e tjerë janë Gordana Siljanovska nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski, kandidat i mbështetur nga partitë në koalicion.

Marketing