Reka: Në thelbin e republikës shumë-etnike është ligji

Kandidati për president, Blerim Reka, vazhdoi mbrëmë fushatën e tij në Kërçovë. Ai sqaroi para të pranishmëve se në thelbin e republikës shumë-etnike është ligji dhe mbi të gjitha ligji është Republikë për të gjithë, me ligjin për të gjithë, dhe ky është koncepti për të cilin këron votën.

“Vetëm me një republikë ku sundon ligji do të lejojmë politikan me duart e pastërta dhe assesi me duart të përlyera. Ligji do të jetë ai i cili do t’i dënojë por jo vetëm penalisht, ligji do t’i dërgojë në histori partitë politike të cilat, që 18 vite shkelën ligjin, ushtruan korrupsion dhe vazhdojnë me nepotizëm, si dhe nuk e përfillin gjyqin. Ka përfunduar koha e politikanëve të korruptuar, nepotizuar e të kapur, dhe kjo përfundon me 21 prill.

Shoqëri për të gjithë sepse ne si shoqëri ekzistojmë, jemi pjesë dhe kemi qenë pjesë e kësaj shoqërie mirëpo ajo që i ka munguar këtij shteti ka qenë që shqiptarë të jenë edhe pjesë e shtetit të përbashkët. Pa qenë pjesë e strukturave më të larta shtetërore ne nuk jemi të barabartë” – tha kandidati i pavarur për president, Blerim Reka.

Mbështetje kandidaturës së Rekës i dhanë edhe krerët e Aleancës për shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, Zijadin Sela dhe Bilall Kasami.

“Profesor Reka është aty më 21 prill për çdo shqiptar që nuk ka harruar se janë shqiptarë. Eshtë aty dhe ne më 21 prill për herë të parë do ja dalim që të hyjmë në raund të dytë fitimtar sepse jemi popull autokton jemi 600 mijë votues e këtë le ta dëshëmojmë më 21 prill” – tha Kryetari i Aleancës për shqiptarët, Zijadin Sela.
“Do ju tegojmë se shqiptarët janë shtetformues këtu në Maqedoni. Se shqiptarët do të votojnë për shqiptarin. Ata që shkojnë në tubime kokëulur vetëm me koncept, jam i sigurtë që më 21 prill do të ngelin shumë pak” – deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami.
Reka vazhdon fushatën e tij me tubimin në qytetin e Gostivarit.

evn