Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti priti në takim zyrtaren amerikane Dianna Palequin

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot në kabinetin e tij e priti në takim znj. Dianna Palequin – zyrtare politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë.
Dy bashkëbiseduesit diskutuan për shumë çështje, të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndër – institucional. Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti e falënderoi znj. Diana Palequin për vizitën dhe shprehu falënderime ndaj saj dhe Ambasadës së SHBA-së, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj UT-së.
Po ashtu, në këtë takim theks i veçantë iu kushtua zhvillimeve të fundit në Universitetin tonë. Zyrtarja amerikane, znj. Dianna Palequin u njoftua edhe për organizimin e Kongresit të dytë Ndërkombëtar të Shkencave Sociale, Humane dhe Arteve, që gjatë këtyre ditëve po mbahet në Universitetin e Tetovës, në të cilin marrin pjese 210 studiues shkencorë nga vende të ndryshme të botës.
Pas takimit që zhvilloi me Rektorin e UT-së, zyrtarja amerikane mori pjesë në Konferencën e Gjashtë Ndërkombëtare Shkencore të Fakulteti Juridik të Universitetit të Tetovës, me temë: “Perspektiva Evropiane e Ballkanit Perëndimor”. Ajo, para studentëve dhe profesorëve foli për përkrahjen e SHBA-së për integrimet Euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe ndihmën amerikane për forcimin e sundimit të ligjit dhe përkrahjen e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.
Gjithashtu, ajo përmendi disa histori suksesi të kohëve të fundit, në të cilat Ambasada e SHBA-së në Shkup bashkëpunoi me institucionet gjyqësore të Maqedonisë së Veriut për të rritur transparencën dhe llogaridhënien, si krijimi i Këshillit Gjyqësor-Mediatik, instalimi i pajisjeve të audio regjistrimit të dhuruara nga SHBA-ja në Gjykatën Penale të Shkupit dhe miratimi i ligjit të ri në sferën e drejtësisë.
Zonja Palequin dhe studentët tanë diskutuan se si qeverisja e dobët mund të çojë në institucione të dobëta, të cilat mund të shfrytëzohen nga aktorë të jashtëm, dhe për këtë arsye, përpjekjet amerikane janë përqendruar në ndërtimin e institucioneve gjyqësore më të shëndetshme, më të forta, më të qëndrueshme, për një periudhë afatgjate.

Marketing
Marketing