Remzi Ejupi: Ligji për Sponsorizim është një e dritë e gjelbër se sporti do të zhvillohet

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ka thënë se me miratimin e Ligjit për Sponsorizimin nga Kuvendi i Kosovës, tani është dhënë drita e gjelbër se sporti në Kosovë do të ketë zhvillim.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke theksuar se përfituesit më të mëdhenj të këtij ligji do të jenë klubet që u nënshtrohen 100 për-qind Administratës Tatimore të Kosovës.

“Miratimi i këtij ligji do të thotë shumë për sportin në përgjithësi duke përfshirë edhe ata që e kanë mbajtur sportin që nga viti 1990 – kur sporti i tha jo shtetit serb. Për njerëzit që janë marrë me sportin vërtetë ka qenë një periudhë shumë e vështire. Tani pas 30 vjetësh kemi një ligj për sportin. Për neve që kemi kontribuar në kohët e vështira mjafton një respekt dhe mirënjohje për të gjithë punën që është bërë deri më tani”.

“Vetëm në futboll dalin mbi 50 milionë euro që janë investuar dhe asgjë nuk u është kthyer investitorëve. Ndërsa në të ardhmen, të gjitha ata që e duanë sportin do të kenë mundësinë që t’u kthehet investimin i tyre në sport. Kemi qenë edhe vet fajtor për mos kërkimin e një ligji të tillë i cili ka nisur falë deputetit Nait Hasani. Ne morëm një model gjerman dhe e sollëm në Kosovë – ai model u miratua në Kuvend dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë”.

“Buxheti nuk do të dëmtohet; në anën tjetër, do të ketë zhvillim edhe më të madh sepse kështu do zhvillohet edhe ekonomia. Vetëm sot janë pesë shtete që garojnë në Europa Ligë dhe tani nuk ka vende të lira nëpër hotele. Do të reflektojnë edhe bizneset dhe të gjithë ata që kanë dëshirë ta ndihmojnë sportin. Në këtë mënyrë do të këtë zhvillim sepse është thjeshtë një model gjerman për mbrojtjen dhe sponsorizimin e sportit. Tani jepet një dritë e gjelbër se sporti do të ketë zhvillim”.

Duke iu folur për rastin e fundit kur ligji në fjalë nuk u miratua në Kuvend, Ejupi ka thënë se nuk mendon që ndonjë deputet i Kuvendit ka qenë kundër Ligjit për Sponsorizim. Sipas tij, ata të cilët nuk votuan në favor të tij e kanë bërë këtë për shkak se kanë qenë ta painformuar.

“Mos të harrojmë se ata të cilët do të përfitojnë më së shumti nga ligji në fjalë janë klubet që u nënshtrohen 100 për-qind Administratës Tatimore të Kosovës”.

“Ne kemi pritur më shumë nga Komuna e Prishtinës; përkundrazi, kemi pasur vetëm vështirësi. Këtë falënderim do t’ia kisha dedikuar Kryeministrit Ramush Haradinaj sepse çdoherë ka treguar gatishmërinë për të ndihmuar. Por tani kemi shumë probleme dhe presim nga Komuna që të na jepet leja për ndërtimin e një fushe. Prandaj, presim nga Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, që të reflektojë pozitivisht dhe të na ndihmojë në këtë proces”.