Javën e kaluar, restoranti me nam Noma 2.0 që drejtohet nga shefi i kuzhinës me prejardhje shqiptare, Rene Rexhepi, u kthye në një vend për vegjetarian, duke shërbyer një meny të plotë të këtij lloj ushqimi.

Mysafirët në restorantin në Kopenhagë kanë shijuar një meny të plotë vegjetariane, nga fillimi deri në fund.
Shefi i mirënjohur i kuzhinës, Rexhepi, ka thënë në “storiet” e llogarisë së tij në Instagram se menyja vegjetariane është pa dyshim sfida më e madhe e gjithë karrierës së tij.

“Ne jemi shumë të lumtur edhe pse ishte shumë e vështirë sepse ekziston diçka, ju ndjeheni sikur po gatuani të ardhmen duke zgjedhur mbretërinë e bimëve. Do të shohim në të ardhmen”, ka thënë ai, transmeton Klan Kosova.
Rexhepi dhe stafi i tij shumë shpesh kanë gatuar me perime por kjo është hera e parë që në meny nuk ka qenë i përfshirë mishi ose peshku.

Shefi i kuzhinës me nam tha se ata kishin punuar si “të çmendur” për tre muaj me radhë për këtë meny.
Noma javën e kaluar kaloi nga “Menuja e Oqeanit” në “Menynë e Perimeve” ku do të eksplorohet mbretëria e bimëve dhe çdo gjë që është e ngrënshme, duke gatuar ato që gjenden nën tokë, mbi tokë, pranë ujit dhe në pemë.

Restoranti ku bashkëpronar dhe kryeshef është Rene Rexhepi gjendet në Chistianshavn, një lagje historike e njohur për enklavën anarkiste Christiania.

Ky vend dikur ishte depo për miniera detare pranë një argjinature dhe me pamje nga një liqen artificial që mirëpret mijëra zogj.

“Është e mrekullueshme. Ndonjëherë derisa ne jemi këtu ka edhe mijëra zogj të të gjitha llojeve “, ka thënë shefi shqiptar.

Rexhepi i ka kushtuar shumë vëmendje detajeve dhe veçanërisht dritës që ai thotë se është thelbësore për të dhe ekipin e tij.

“Ne jetojmë në Kopenhagë, ku moti mund të jetë i ligë për 11 nga 12 muaj, kështu që ne dëshironim të siguroheshim që të ketë sa më shumë dritë që hyn në restorant dhe në hapësirën e punës”, ka thënë shefi i kuzhinës tashmë shumë i famshëm për Food and Wine Gazette.

Ndërtesa e re e restorantit ka një fermë të vogël urbane me shtëpi të gjelbra, një kopsht me barishte në kulm, një zonë për skarë, një laborator të fermentimit dhe shumë më tepër.