Magjistralja Prishtinë-Ferizaj në fshatin Bibaj është bllokuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë rënë në orët e mbrëmjes.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo ka ndodh si pasojë e mbylljes së “drenazhes” (vijave kulluese të brezit rrugor).
“Prandaj kemi patur grumbullim të sasisë së ujit”, ka thënë Lekaj.

“Kompania e mirëmbajtjes që është e përzgjedhur për këtë pjesë, është në vendin e ngjarjes dhe po intervenohet për të mundësuar pastrimin e zonës së përmbytur”.

“Ju bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që të respektojnë rregullat e mbrojtjes së brezit rrugor, ndryshe inspektoriati i Ministrisë së Infrastrukturës do të udhëzohet të dalë në teren për të parë nga afër kyqjet në këtë pjesë”.