Një kompani në Britani ka filluar të riciklojë pajisjet mbrojtëse të hedhura, për të shmangur përfundimin e tyre në depo mbeturinash mes pandemisë së koronavirusit. Sasia e këtyre pajisje të hedhura në koshat e plehrave është rritur në mënyrë të konsiderueshme gjatë pandemisë.

Gjashtë spitale të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë janë pajisur me makina të reja që i kthejnë pajisjet mbrojetëse të personelit shëndetësor në material që mund të përdoret për riprodhim të tyre. Drejtori për mjedisin në kompaninë Thermal Compaction Group, Mathew Rapson, thotë se makineritë po trajtojnë një problem në rritje.

“Ne kemi një numër spitalesh të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë që tani përdorin makineritë tona, posaçërisht për trajtimin e plastikës dhe maskave, që është bërë një problem i madh në pandeminë aktuale”, thotë ai.

Maskat, perdet dhe produkte të tjera që përdoren për të mbrojtur punonjësit shëndetësorë në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit, kanë krijuar mijëra tonë mbeturina.

Në vend që të digjen ose thjesht të hidhen, kompania nga Uellsi i zien ato për rreth një orë, duke i shndërruar në blloqe materialesh të ripërdorueshme që peshojnë rreth 20 kilogramë. Stephen Freeland i Shoqatës së Shërbimeve Mjedisore, thotë se problemi i mbeturinave në Britani është shumë më i madh se sa ai i shkaktuar nga hedhja e pajisjeve mbrojtëse të personelit mjekësor.

“E dimë që ka patur një rritje të sasisë së mbeturinave për shkak të hudhjes së pajisjeve mbrojtëse të personelit shëndetësor, por sistemi i menaxhimit të mbeturinave është marrë me këtë problem. Nuk bëhet fjalë për sasi të mëdha të vëllimit të këtij materiali krahasuar me sasinë e përgjithshme të mbeturinave që po trajtojmë në Britani në një vit”, thotë ai.

Sipas shifrave të qeverisë, Britania prodhon rreth 220 milionë tonë mbeturina në vit, dhe pajisjet mbrojtëse të personelit shëndetësor janë një pjesë e vogël e kësaj sasie.

Megjithatë, blloqet plastike të kompanisë Thermal Compaction Group tashmë po përdoren për të prodhuar artikuj të tjerë si kuti veglash dhe karrige shkolle. Kompania thotë se 11 spitale të tjera Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë do të pajisen me këtë lloj makinerie, duke u dhënë përdorim të ri plastikave që përndryshe do të përfundonin në depot e mbeturinave.