Rikonstruimi i qeverisë, RDK-ja mbetet pa ministri!?

Ndonëse pritej rikonstruim i përmasave më të mëdha, në mesin e afër tetë ministrave të përfshirë nga “fshesa” e kryeministri Zoran Zaev mësohen të jenë edhe emërimet në ministrinë e Kulturës, Bujqësisë dhe Sistemit Politik. Nga partia Alternativa e Afrim Gashit thonë se ditëve në vijim pritet zyrtarizmi i kandidatit për ministër Kulture.

BDI nga ana tjetër ka mbyllur kapitullin e rikonstruimit me propozimin e ministrit të Ekologjisë, Sadulla Duraku në Ministrinë për Sistem Politik, ndërsa në vendin e tij mësohet të vij Naser Nuredini. Edhe pse integristët thonë se rikonstruimi nga radhët e tyre ka marr fund, burime të Alsat në rrethana jo zytare bëjnë të ditur se LSDM dhe Zoran Zaev mohojnë propozimin që Duraku të emërohet në dikasterin për Sistem Politik.

Madje, jo zyrtarisht mësohet se Ministria e Pushtetit Lokal me të cilën udhëheq kuadër i RDK-së, do t’i kalojë Partisë Liberal Demokrate, ndërsa ministria pa resor për përmirësimin e klimës investuese për kompanitë vendore me të cilën udhëheq Zoran Shapuriq t’i takojë partive rome.

Nga radhët e LSDM-së, Zaev nuk bën të ditur emrin e ministrit të Bujqësisë, ndërsa burime nga socialdemokratët bëjnë të ditur se në kuadër të rikonstruimit do të përfshihen edhe ministri për Transport dhe Lidhje, Goran Sugarevski dhe ministri i Financave, Dragan Tevdovski.

I pari i Qeverisë, në mbledhjen e Këshillit Qendror të LSDM-së njoftoi se në kuadër të rikonstruimit do të përfshihen edhe rreth 20 drejtor nga niveli qendror dhe lokal, proces ky i cili do të zhvillohet në disa faza, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që për propozimin e drejtorëve të merret edhe mendimi i ministrave të rinj. Emrat e ministrave dhe drejtorëve pritet të bëhen zyrtare nga java e ardhshme. Qeveria nuk përjashton mundësinë që mes datave 24-25 qershor propozimet për ministra t’i dërgojë në Kuvend.