Ministrja Carovka mund të pretendojë se po e kursen arkën e shtetit, duke shkurtuar fondet për fëmijën e tretë, por në fakt, ajo po ia zvogëlon Maqedonisë shanset të jetë një shtet europian, i barbaritë për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie, religjioni e gjuhe. Europa u ndërtua edhe mbi parimet e barazisë sociale, kurse Maqedonia nuk do të mund të bëhet europiane duke i shkelur këto parime

Vedat MEMEDALIU (koha.mk)

I proklamuar, fillimisht, si shtet social, Maqedonia, tash së fundi, ka filluar të bëhet pishman, sepse këtë koncept si duket dikush e ka rezervuar vetëm për një pjesë të popullatës e që në fakt është treguar pa ndonjë efekt në praktikën e përditshme. Janë një sërë masash stimuluese që qeveritë e mëparshme kishin ndërmarrë për të vendosur njëfarë mirëqenie sociale-financiare edhe në sferën demografike, konkretisht në atë të lindshmërisë, si proces reprodukues që do të ndikonte në shtimin natyror të popullatës. Por, indikacionet e fundit flasin se Qeveria në vijim (ajo aktuale) do të heqë dorë nga këto masa, me arsyetimet nga më të çuditshmet, e që si përfundim absurd kanë intervenimin e njëanshëm ligjor, që me automatizëm mund të lexohet edhe si diskriminim ndaj një pjese të popullatës, konkretisht ndaj asaj shqiptare.

FRENIMI I NATALITETIT STUMULON IKJEN DREJT EVROPËS

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka informuar se i ka gati ndryshimet ligjore që shfuqizojnë Ligjin për fëmijën e tretë dhe Ligjin për pensionet sociale. Që të dy këto ligje dalin të jenë me tendenca ta hapur diskriminuese ndaj shqiptarëve. I pari – që ndalon natalitetin dhe stimulon ikjen e çifteve të reja drejt Evropës dhe i dyti – thellimin e ndasive edhe tek më të moshuarit në vend.

Nëse Maqedonia, sipas të gjithë treguesve financiarë, paska vuajtur shtimin e ulët natyror të popullsisë, një fenomen ky mjaft prezent edhe në shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë, atëherë si është e mundur që këtë sfidë të shekullit ta përballojë me masa të tilla kontraproduktive, të cilat, madje përgatiten jashtë syve të opinionit publik.

Ministrja Mila Carovska, ndryshe nga herët tjera, Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve (lexo: Ligjin për shfuqizimin e stimulimit financiar për fëmijën e tretë) nuk e prezantoi para gazetarëve siç vepron rëndom për çfarëdo projekti që ka siglën tashmë të njohur “jetë për të gjithë”. U mjaftua me një komunikatë për media, ndërsa arsyetohej se shfuqizimi i ndihmës për fëmijën e tretë bëhet me qëllim mbrojtjen e të gjithë fëmijëve, pa përjashtim, si dhe kujdesin për buxhetin e shtetit pasi, siç ka shkruar Carovska në komunikatë, stimulimi financiar për fëmijën e tretë nuk ka sjellë rezultate! Dhe, deri këtu ka të drejtë Carovska. Por vetëm nëse flet për natalitetin tek çiftet dhe pjesët e banuara kryesisht me maqedonas. Ajo, si duket statistikat po i lexoka të përgjysmuara, si një pacient i sëmurë me kapricie që nuk e lexon komplet diagnozën.
Të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se Manastiri – vitin 2017 e përfundoi me minus 81 banorë, Prilepi me minus 73, Karposhi me minus 20, Kisella Voda minus 28, Berova minus 14, Gjevgjelia minus 12…, ndërsa disa komuna tjera maqedonase mezi kalojnë numrin pesë për shtim të popullsisë.

Por, tek shqiptarët, situata është krejtësisht ndryshe. Komuna e Çairit vazhdon të kryesojë numrin e lindjeve në kryeqytet me mbi 180 lindje, e pasuar nga Saraji dhe Studeniçani me nga më shumë se 100 foshnja. Në nivel shteti, në vitin 2017, zonat me boom-in më të madh sa i takon lindjes së fëmijës së tretë janë Shkupi (9562 fëmijë) dhe Pollogu (4291 fëmijë). Dallimi me 2016-ën është i madh, sidomos për rajonin e Shkupit ku numri i fëmijëve është më i madh se 1100. Një situatë e ngjashme është edhe në rajonin e Pollogut, ku janë regjistruar 500 fëmijë më shumë sesa në 2016. Përveç për lindje – Tetova, Çairi, Struga, Saraji, por edhe Likova e Studeniçani, janë ndër komunat ku shkalla e martesave është gjithnjë në rritje për dallim nga përqindjet e vogla të vdekjeve, apo divorceve.

LINDSHMËRIA E SHQIPTARËVE, NË DIOPTRINË E GABUAR TË QEVERISË

Edhe stimulimi financiar për të lindur fëmijën e tretë e të katërt rendit shqiptarët shumë para maqedonasve. Të dhënat e ministrisë që drejtohet nga Carovska tregojnë se, nëse në vitin 2010 mbi 5 mijë çifte përfituan nga shtesa mujore për fëmijën e tretë, ky numër u katërfishua në 2016, kur numëroheshin 21 mijë fëmijë, ndërsa në vitin 2017 rreth 24 mijë fëmijë. Rreth 70 për qind e çifteve që marrin ndihmë financiare për fëmijën e tretë janë shqiptarë. Maqedonasit, bashkë me etnitetet tjera, mezi arrijnë 30 përqindëshin.
Dhe jo vetëm këto, por Carovskën e demantojnë edhe të dhënat e komunave dhe të Ministrisë së Arsimit. Sa për ilustrim, vetëm në Studeniçan, në klasë të parë sivjet ka nëntë paralele, gjë që nuk ndodhë në ndonjë komunë tjetër rurale në vend.

Stimulimi financiar jo që nuk ka pasur efekte pozitive për natalitetin, por jo aty ku dëshiron Carovska. Dhe këtë strategji të saj dhe bashkëmendimtarëve të saj, me gjasë, s’ka kush e pengon në Qeveri. Së paku, deri tani kur Ligji i ri po merr formën përfundimtare. Sepse, përveç këtij Ligji, është edhe një Ligj tjetër që privon nga e drejta e pensionit social pjesën dërmuese të të moshuarve shqiptarë. Bëhet fjalë për Ligjin e Pensioneve sociale, që mes tjerash, parasheh pension për ato burra dhe gra të moshës 65-vjeç me minimumi edhe një ditë përvojë pune të paraqitur në entin e sigurimit pensional dhe fondin e shëndetësisë. Në dukje të parë, Ligji në fjalë duket më shumë se social, megjithëse mashtrimi fshihet pikërisht te ai njëditëshi i përvojës së punës. Sa 65-vjeçarë të sotëm shqiptarë kemi që kanë punuar në kohën e Jugosllavisë në ndërmarrje shteti apo institucione tjera publike e që kanë pasur të rregulluar statusin e punës? Ose, të kenë paguar vet kontributet si bujq individual? Të gjitha matematikat tregojnë se ky numër nuk mund të shkojë më shumë se 5-10 për qind nga numri i përgjithshëm. Po nga pala tjetër sa mund të jenë? Pa dyshim se mbi 90 për qind. Sepse, nëse jo të dy kryefamiljarët, njëri gjithsesi ka qenë pjesë e punëve publike të shtetit federativ të asaj kohe.
Dhe, Carovska më së miri e di këtë. Por jo vetëm ajo. Edhe kryeministri Zaev është pjesë e kësaj Strategjie, sepse ishte pikërisht ai që kishte premtuar pensionet sociale.

BASHKË ME FËMIJËN E TRETË NË SHPINË DREJT EVROPËS!

Këto dy ligje shumë shpejtë do të dërgohen në Qeveri e më pas në Parlament. Nëse nuk bllokohen, ose të ndërhyhet për ndryshime thelbësore, edhe ata pak të rinj që kanë mbetur në vend, do marrin valixhet bashkë me fëmijën e tretë në shpinë drejt Evropës. Këtë e do Carovska, sepse këtë e deshën edhe ata para Carovskës. Përveç emrave, asgjë nuk duket të ketë ndryshuar.
E ardhmja e një shteti nuk do të duhej të jetë eksperiment në duart e politikave tendencioze. Në rastin konkret, një shtet që pretendon t’i bashkohet familjes evropiane të popujve, e ka gati të pamundur të arrijë të harmonizojë legjislativën e vet me atë europiane, sidomos në pjesën ku diskriminimet bëhen mbi baza etnike. Ministrja Carovka mund të pretendojë se po e kursen arkën e shtetit, duke shkurtuar fondet për fëmijën e tretë, por në fakt, ajo po ia zvogëlon Maqedonisë shanset të jetë një shtet evropian, i barbaritë për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie, religjioni e gjuhe. Europa u ndërtua edhe mbi parimet e barazisë sociale, kurse Maqedonia nuk do të mund të bëhet evropiane duke i shkelur këto parime. (koha.mk)