Rikthimi i vizave për Shqipërinë, KE: Nuk kemi marrë kurrfarë njoftimi

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Berto deklaroi se Brukseli është i njoftuar me votimin e Parlamentit holandez për pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë, por se deri më tani deri te Komisioni nuk ka mbërritur një kërkesë e tillë, shkruan MIA.

Marketing

“Ka procedurë specifike për mekanizmin për pezullim dhe deri më sot nuk kemi marrë kurrfarë njoftimi nga asnjë vend anëtar me kërkesë për aktivizimin e mekanizmit, për cilindo qoftë vend të cilët kanë regjim të lirë të vizave”, deklaroi Berto.
Dje Parlamenti holandez u prononcua për pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë për shkak të aktiviteteve kriminale të mafies shqiptare në Holandë.

Berto shtoi se nëse mbërrin kërkesë formale nga cilido qoftë vend anëtar, Komisioni Evropian “me kujdes do ta analizojë, vlerësojë dhe përcaktojë, në pajtim me procedurat specifike dhe në bazë të të gjitha të dhënave”, nëse nevojitet të pezullohet regjimi i lirë i vizave për Shqipërinë.

Zëdhënësja përkujtoi se Komisioni Evropian publikon raport të rregullt për gjendjen me liberalizimin e vizave në vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti i fundit, të publikuar në dhjetor të vitit 2018, ka konstatuar se të gjitha vendet e rajonit vazhdojnë t’i përmbushin kushtet për udhëtim të lirë në Zonë e shengenit.

Komisioni Evropian refuzoi të komentojë nëse dhe si do të reflektohej kjo kërkesë e Holandës mbi pritjet e Shqipërisë të fillojë negociata për anëtarësim me BE-në.
“I përgatisim raportet”, shkurt komentuan burime të Komisionit Evropian, pa sqarime shtesë”.

Marketing