Rimëkëmbje e ngadaltë e sistemit pensional

Sistemi Pensional në Maqedoninë e Veriut vitet e fundit ka nevojë për më shumë se 800 milionë euro për pagesën e pensioneve, për çka nga buxheti i shtetit, transferohen arkës së Fondit Pensional gati gjysma e mjeteve apo mbi 400 milionë euro, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Për disa vite me radhë, një i punësuar mban afër dy pensionistë, apo siç tregon statistika e fundit, në vend ka 794.283 të punësuar, megjithëse prej tyre vetëm gjysma apo afër 320 mijë janë të punësuar në fabrika, bujqësi dhe ndërtimtari e që janë kontribuuesit më të mëdhenj të ekonomisë dhe që në fakt – edhe mbajnë ekonominë e vendit. Me fjalë tjera, është gati i barabartë numri i punëtorëve që krijojnë vlera të reja karshi numrit prej 324.382 pensionistëve. Për vite me radhë, arka e Fondit Pensional nuk po mbushet mjaftueshëm nga kontributet e të punësuarve, por i nevojiten injeksione serioze nga arka e shtetit për pagesën e rregullt dhe për çdo muaj të pensioneve. Periudhën e fundit po shënohet rimëkëmbje e ngadalshme e Fondit Pensional dhe ulje e butë e totalit të të hollave që nevojitet të plotësohet vrima në buxhetin e Fondit Pensional. Të dhënat buxhetore për vitin 2019 tregojnë se sivjet – do të ndahen 28.1 miliardë denarë apo për 1.3 miliardë denarë më pak në raport me 29.4 miliardë denarë sa nevojiteshin në vitin 2018 për pagesën e pensioneve.

Ekspertët financiar thonë se akoma shumë të holla nevojiten që të tejkalohet hendeku midis nevojave për pagesën e rregullt të pensioneve dhe të ardhura vetanake të Fondit Pensional nga pagesa e kontributeve, mirëpo shtojnë se megjithatë këto tregues janë pozitive si trend. “Zhvillimi ekonomik, rritja e numrit të punësuarve dhe rritja e pagave janë ndër faktorët kryesor që do të përforcojnë kapacitetet e Fondit Pensional. Gjithashtu, edhe rritja e shkallës së kontributeve nga 18 në 18.8 për qind në një periudhë afatmesme do të japë rezultatet e saja”, thotë eksperti Pavle Gacov.

Sipas tij, rritja e kufirit për pensionim, apo shkuarja e mëvonshme në pension nuk do të ishte në favor të përmirësimit të gjendjes financiare të Fondit Pensional. Në ndërkohë, pritet që arka e Fondit Pensional të stabilizohet edhe më tej me rritjen e pagës minimale në 14.500 denarë prej muajit dhjetor të këtij viti, si dhe rritja e pagës mesatare.

Edhe masa për subvencionimin e kontributeve që do t’i përfshijë të gjitha pagat që hyn në fuqi prej një tetorit, do të jetë e mirëseardhur për stabilizimin e mëtejshëm të sistemit pensional. Në kuadër të rebalancit të Buxhetit për vitin 2019 do të ndahen 400 milionë denarë për masën e subvencionimit të kontributeve nga sigurimi i detyrueshëm social për firmat që do ti rrisin pagat e punëtorëve deri në 100 euro në kundërvlerë në denarë. Kjo, sipas burimeve qeveritare, pritet të zvogëlojë ekonominë informale dhe dhënien e një pjesë të pagave në dorë. Me masën e re, të cilën e propozon Qeveria, punëdhënësit do të paguajnë vetëm 11 për qind të tatimit personal, ndërsa pjesën tjetër – sigurimin pensional, shëndetësor dhe social, do ta mbulojë shteti. Njëherësh, efekti tjetër pozitiv i kësaj mase është që në të vërtetë me subvencionimin e kontributeve për sigurim shëndetësor dhe pensional, të ndihmohet Fondi Shëndetësor dhe Fondi Pensional. Ndryshe, në favor të stabilizimit të financave të Fondit Pensional flasin edhe të dhënat statistikore për rritjen e numrit të punëtorëve në fabrika nga 148.536 punëtorë në fund të muajit qershor të vitit 2018 në 156.625 punëtorë në fund të muajit qershor të viti 2019. Rritje shënon edhe numri i punëtorëve në ndërtimtari nga 57.048 në 57.830, si dhe i punëtorëve në sektorin e furnizimit me energji elektrike, rrymë dhe gaz nga 10.284 në 10 703. Rritje shënohet edhe në sektorin e minierave nga 6291 punëtorë në 6505 punëtorë në periudhën qershor 2018 deri më qershor 2019. (koha.mk)

Marketing