Risto Stavrevski mbetet shef i SPB-së, KSHZ-ja s’ka kompetencë të veprojë ndaj emërimeve

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në mënyrë unanime vendosi që mos të japë mendim se a duhet apo jo Risto Stavrevski të jetë shef i Sektorit të Punëve të Brendshme në Shkup, pasi atë mendim një ditë më parë e kërkoi ministri teknik Naqe Çulev.

Marketing

Edhe pse kjo u kërkua nga vetë ministri i cili e ka emëruar Stavrevskin si shef, siç deklaroi kryetari Oliver Derkoski, KSHZ-ja ka të drejtë ligjore të japë mendim për aktet që kanë të bëjnë me zgjidhje juridike, kadrovike dhe financiare që lidhen me organizimin e zgjedhjeve dhe që bëhen pasi të kryhen emërimet, ndërkaq nuk është e obliguar të japë mendim për emërimet e Çulevit dhe për atë se a kanë ato pëlqim nga ministrja shtesë e MPB-së, Sllavjanka Petrovska.

“Çështja që është lëndë e diskutimit në KSHZ është çështje që nuk hyn në kompetencë të organizimit dhe realizimit të zgjedhjeve, por është çështje që është e karakterit të emërimit të atyre që janë të obliguar të zbatojnë Ligjin për Qeveri”, deklaroi Oliver Derkoski, kryetari KSHZ-së.

Emërimi i Stavrevskit ngjalli reagime në publik dhe nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, ngaqë ka indicie për lëshime gjatë përvojës së tij. Sërish nga VMRO-DPMNE-ja thonë se bëhet fjalë për profesionist.

“Bëhet fjalë për profesionist, i cili me nder dhe profesionalitet e kryen punën e tij. Nëse LSDM-ja, Zaevi dhe Spasovski, dhe anëtarë të tjerë të bandës frikësohen nga ajo ku do të realizohen zgjedhje korrekte ku nuk do të mund të ndikojnë në mënyrë kriminale, ku nuk do të bëjnë blerje të votave, atëherë nga ajo të frikësohen”, theksoi Igor Janushev, sekretar i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

E për këtë, kryeministri teknik, Oliver Spasovksi sot kujtoi se detyra kryesore e Qeverisë është të realizohen zgjedhje korrekte dhe ministrat teknik të mos dalin nga përgjegjësitë që parashihen me ligj.

“Detyrë parësore e kësaj Qeverie është të vazhdojnë të funksionojnë institucionet, të vazhdojnë të gjitha projektet dhe tërë ajo që është parashikuar në programet dhe në buxhetet të realizohet dhe e dyta të realizohet zgjedhje korrekte për këtë duhet që të gjithë subjektet politike, që janë pjesë e Qeverisë, të kenë shije dhe përgjegjësi dhe të mos dalin jashtë Ligjit në qeveri”, tha Oliver Spasovski, kryeministër teknik.

Risto Stavrevski është dëgjuar në “bomba” derisa flet me ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska për disa votues në Kumanovë ku porositet të japë “atë çfarë kërkojnë”, pasi siç thotë në “bombë” Jankullovska, “ata – votuesit – kërkojnë gjëra të vogla”. Ai ka qenë edhe dëshmitar në rastin “Tanku” ku e akuzuar është Jankullovska. Emërimi i tij në krye të SPB Shkup erdhi si rezultat se më 3 janar u formua Qeveria teknike, dhe sipas ligjit për qeveri, ministri Naqe Çulev ka të drejtë të emërojë 15 shefa të sekorëve të MPB-së.