Rivalët politikë në Izrael bëjnë marrëveshje për qeverisje

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe rivali i tij politik, Benny Gantz, nënshkruan marrëveshje për formimin e qeverisë së unitetit.

Marketing

Me këtë marrëveshje, qeverisja do të bëhet me rotacion midis tyre.

Marrëveshja sjell siguri politike në Izrael, pas tri palë zgjedhjeve me fitues të paqartë.

Edhe Netanyahu, edhe Gantz janë përballur me thirrje për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të formuar koalicionin, që do të ndihmonte në trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit ka raportuar për mbi 13,700 njerëz të infektuar me koronavirus dhe 177 viktima.

Marrëveshja e qeverisjes u nënshkrua të hënën vonë në rezidencën e kryeministrit në Jerusalem.

“Kemi parandaluar zgjedhjet e katërta. Do të mbrojmë demokracinë. Do të luftojmë koronavirusin dhe do të kujdesemi për të gjithë qytetarët e Izraelit”, tha Gantz.

Ngjashëm u shpreh edhe Netanyahu, duke thënë se qeveria do të veprojë “për të shpëtuar jetën e qytetarëve izraelitë”.

Marketing