Numri i të sëmurëve me koronavirus gjatë ditëve të fundit është në rënie të lehtë, por ajo që shqetëson edhe më tej është shkalla e lartë e vdekshmërisë. Masat preventive sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, për momentin janë të mjaftueshme edhe nuk është në plan vendosja e orës policore.

Presioni ndaj spitaleve është i madh, por ai shpreh bindjen se ka shtretër të lirë pothuajse në të gjitha qytetet. Situata është posaçërisht e rëndë në Prilep, në Kumanovë dhe në Shkup. Maqedonia e Veriut do të fillojë me furnizim të testeve të shpejta, ndërsa rreth 20 mijë i ka marrë si donacion nga Norvegjia.

Shkalla e përhapjes së Covid-19 në Maqedoninë e Veriut, rastet e të shtruarve nëpër spitale dhe të viktimave, sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, nuk ndryshon shumë nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Për dallim nga tri javët e mëparshme, kur numri i të infektuarve ishte në rritje të vazhueshme, java e fundit është shpresëdhënëse.

“Numri i rasteve të reja është në ulje, praktikisht jemi në nivel të pikut pas një periudhe prej 2-4 javësh të rritjes së shpejtë të pacientëve të diagnostifikuar, që është fakt se faktori R0 i transmetimit është ulur dukshëm, sipas llogaritjeve tona është 1 për periudhën e fundit. Për fat të keq evidente është rritja e numrit të rasteve të vdekjes, edhe në nivel global edhe te ne, sipas javëve nga fillimi i muajit, 111, 149, 182 dhe 206. Ajo që na jep shpresë është se rritet numri i të shëruarve, në mjekim shtëpiak dhe atë spitalor”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Filipçe shpreh bindjen se ky stabilizim i lehtë i COVID-krizës lidhet me ngritjen e vetëdijes së popullatës dhe respektimit të masave preventive, duke theksuar se nuk ka nevojë për masa të tjera shtrënguese. Ministri Filipçe i ka mohuar informacionet se për pacientët në disa qytete nuk ka oksigjen dhe shtretër në spitale.

“Nuk është e vërtetë se nuk ka shtretër të lirë dhe nuk është e vërtetë se nuk ka oksigjen. Praktikisht tani të gjithë shtretërit e lirë në Klinikën e Otorinolaringologjisë janë siguruar me furnizim qendror me oksigjen, atje ku nuk ka përqëndrues të oksigjenit. Do të thotë çdo pacient që ka nevojë për oksigjen e merr atë”, tha ministri Filipçe.

Për shkak të reagimeve nga ana e familjarëve të  të sëmurëve ose të vdekurve nga Covid-19, Inspektorati Sanitar heton 9 raste, në mesin e të cilëve edhe në spitalin në Manastir,  ku gjatë këtyre ditëve u publikuan pamje të personave që marrin infuzione pranë shtretërve ku janë të vdekurit.

Rritja e rasteve të vdekshmërisë do të hulumtohet tha Ministri Filipce, për shkak, se siç u shpreh, mbetet mister përse sëmundja tek disa kalon pa simptoma, kurse për disa tjerë është fatale. Ai i ka vlerësuar si pozitive lajmet rreth vaksinave, që janë në fazën përfundimtare, duke shtuar se vendi përmes sistemit Covax, kur të jenë në dispozicion, pret arritjen e tyre.