RMV/ Filloi regjistrimi i nxënësve në klasë të parë

Në shkollat fillore në vend filloi regjistrimi i nxënësve në klasën e parë për vitin shkollor 2020/2021, i cili do të zgjasë deri më 30 qershor. Këtë vit prindërit do të kenë në dispozicion një muaj për t’i regjistruar fëmijët në shkollat fillore, ndërsa rezultatet e regjistrimit duhet t’i publikojnë deri më 15 korrik. Regjistrimi bëhet duke respektuar protokollin e përcaktuar nga autoritetet shëndetësore.
“Ne si drejtori kemi marrë të gjitha masat e nevojshme të cilat janë paraparë sipas protokollit që i ka dhënë Qeveria e RMV-së. Duke filluar prej çështjes së organizimit, ne kemi përcaktuar njeri i cili kujdeset për mirëvajtjen e vendit gjatë lëvizjes së prindërve dhe nxënësve të cilët intervistohen sot, patjetër e kanë të mbajnë maska, të hyjë i lejohet vetëm njërit prind, fillimisht në derën e hyrjes kemi vënë edhe për dezinfektim të këmbëve duarve, dezinfektues. Në klasë jemi munduar që të gjejmë një hapësirë më të madhe që të mbahet distanca ndërmjet komisionit i cili bën regjistrimin e nxënësve në klasë të parë edhe fëmijës dhe prindit që është prezent.”,- deklaroi drejtoresha e Shkollës Fillore “Liria”, Teuta Idrizi.

Marketing

Regjistrimi i nxënësve është bërë edhe përmes aplikimit online dhe të njëjtit më pas intervistohen duke iu përmbajtur rekomandimeve të masave të qeverisë për t’u mbrojtur nga virusi Covid-19.

“Në të gjitha punët, mënyrën e aplikimit për regjistrim në klasë të parë e kemi bërë online në ueb faqen e shkollës ku prindërit kanë pasur mundësi që të aplikojnë dhe të caktohet termini ku bëhet intervista e nxënësve, me qëllim që të mbahet ajo distancë dhe të bëhet grumbullimi që t’u përmbahemi rekomandimeve që janë paraparë.”,- tha drejtoresha e Shkollës Fillore “Liria”, Teuta Idrizi.

Qeveria ditë më parë ka miratuar edhe protokollin për funksionimin e kopshteve të fëmijëve, i cili do të aplikohet pasi të merret vendim për hapjen e kopshteve. Protokolli parasheh dezinfektim të përditshëm të objekteve, mbikëqyrje të fëmijëve për larje më të shpeshta të duarve, matje të detyrueshme të temperaturës së fëmijëve gjatë hyrjes në kopsht dhe numër të kufizuar të fëmijëve në grupe, përkatësisht në grupet deri në moshën 2 vjeçe do të ketë maksimum 6 fëmijë, ndërsa nga 3 deri në 10 vjet do të ketë maksimum 15 fëmijë me dy kujdestarë. Po ashtu prindërit do duhet të dorëzojnë certifikatë nga mjeku amë për shëndetin e fëmijës. Gjatë sjelljes së fëmijës në kopsht, prindi detyrimisht do duhet të mbajë maskë mbrojtëse dhe do të lejohet hyrja vetëm në pjesën e jashtme.

Marketing