RMV/ Qeveria e re me 8 ministra,në ekzekutiv 3 mjekë e shumë doktorë shkencash

Qeveria e re që pret miratimin nga Kuvendi këtë fundjavë, ka 8 emra të rinj. Për herë të parë në kabinetin qeveritar do të ulen Artan Grubi në postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër për Sistem Politik, Irena Stefoska – ministre e Kulturës, Jagoda Shahpaska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Blagoj Boçvarski – ministër i Transportit, Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë, Arianit Hoxha – ministër i Bujqësisë, Fatmir Bytyqi -zv/kryeministër për Ekonomi dhe Jeton Shaqiri si ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë. Po cilët janë ministrat që për herë të parë ulen në karriget e nxehta?

Marketing

Artan Grubi ka diplomuar dhe magjistruar për gazetari në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ka doktoruar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Politike, dhe aktualisht është edhe ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tetovës.

Ministri më i ri në qeverinë e re është 33-vjeçari, Jeton Shaqiri, i cili ka doktoruar në fushën e ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe është profesor në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë.

Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa, ka diplomuar në Fakultetin e Biznesit dhe Administratës në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Fatmir Bytyqi në biografin e tij ka shënuar se ai tashmë ka një përvojë prej gati një dekadë, në katër qeveri, në kabinetin e Buçkovskit dhe Nikolla Gruevskit në tre departamente deri tani.

Irena Stefoska është profesoreshë në Institutin për Histori Nacionale pranë Universitetit “Shën Kiril dhe Metodi”. Është aktiviste civile dhe ka qenë edhe deputete dhe kryetare e Komisionit për Kulturë në përbërjen e mëparshme parlamentare.

Bojan Mariçiq, përveç diplomës nga Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ka të regjistruara dy magjistratura – në Londër dhe Amsterdam. Në vitin 2017 ai u emërua si këshilltar special për integrime euro-atlantike të kryeministrit Zaev, i përfshirë më vonë në negociatat për arritjen e Marrëveshjes së Prespës.

Bllagoj Boçvarski. i cili është kryetar aktual i Shtipit, është inxhinier i diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës – Shkup.

Jagoda Shahpaska ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, e specializuar në mjekësinë interne.

Ministrat e tjerë të qeverisë së re janë të njohur për opinionin. Ministri i financave, Fatmir Besimi, i rikthehet ekzekutivit pas një pauze njëmandatore. Ai ka një përvojë të gjatë në ekzekutiv dhe biografia e tij është më e plota nga të tjerat e dorëzuara. Më herët ka drejtuar edhe ministrinë e mbrojtjes dhe atë të ekonomisë, si dhe ka mbajtur edhe postin e zv/kryeministrit për çështje evropiane.

Edhe për një mandat ndërkohë në të njëjtat pozicione mbeten Venko Filipçe si ministër i Shëndetësisë, Radmilla Shekerinska – në Ministrinë e Mbrojtjes, Goran Milevski – në Vetëqeverisjen Lokale, Naser Nuredini në Ekologji dhe Kreshnik Bekteshi në Ekonomi. Oliver Spasovski kthehet në krye të MPB-së, post që e kishte edhe para emërimit si kryeministër teknik. Resorët i ndryshojnë Nikolla Dimitrov dhe Bujar Osmani, që ndryshojnë pozicionet aktuale, pra Dimitrovi shkon në SCE dhe Osmani në krye të ministrisë së jashtme. Edhe Mila Carovska kalon nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në krye të dikasterit të arsimit.

Marketing