RMV/ Vrau prindërit dhe motrën, vajza nga Dibra dënohet me burg të përjetshëm

Gjykata Themelore – Gostivar miratoi propozimin e Prokurorisë për dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuaren B.P. për kryerjen e tri veprave penale-vrasje në familjen e saj në Dibër, transmeton Portalb.mk.

Marketing

Gjykata ka dënuar me 10 vjet burg edhe një person tjetër që ka ndihmuar në kryerjen e veprës, ndërsa për ndihmësin e dytë është ndryshuar vepra penale, ashtu që do të vazhdohet si vepër penale bazuar në Nenin 396 të Kodit Penal për prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të armëve pa leje.

Prokuroria theksoi se nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës në lidhje me dy personat që kanë ndihmuar në kryerjen e vrasjes. Prokuroria në lidhje me këtë, ka paralajmëruar Ankesë.

Gjykata konfirmoi se B.P. kishte vrarë fillimisht nënën dhe babin, pastaj edhe motrën. Para kryerjes së krimit, ajo kishte kontaktuar një ditë më parë me të dyshuarin e dytë, dhe ishte takuar me atë në Gostivar. Ajo nga I dyshuari I tretë kishte marrë një armë me pesë plumba. Pas kryerjes së aktit, B.P. kishte shkuar në Itali përmes Aeroportit të Shkupit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër tre personave të cilët akuzohen se janë përfshirë në vrasjen e familjes treanëtarëshe në Dibër.

Pas procedurës hetimore, prokuroria kishte siguruar dëshmi se e akuzuara e parë ka kryer vepër penale – Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 3 i Kodit Penal, ndërsa dy të tjerët për ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale.

Gjithçka filloi më 26.08.2018, në shtëpinë familjare në Dibër, e akuzuara duke shtyrë me armë së pari e ka privuar nga jeta babin dhe nënën e saj, pastaj edhe motrën. Ndërsa dy të tjerët me paramendim i kanë ndihmuar që t’i vrasë.