Cristiano Ronaldo fitoi 105 milionë dollarë brenda 365 ditëve të fundit, mes 1 qershorit 2019 deri në 1 qershor 2020, zbuloi Forbes kur publikoi listën e 100 sportistëve më të paguar në botë.

Në atë listë, portugezi renditej në vendin e dytë pas tenistit zviceran, Roger Federer.

Por, në një listë tjetër të publikuar së fundi, Ronaldo është futbollisti i parë që fiton 1 miliard dollarë gjatë karrierës së tij, raportoi Forbes të enjten.

Forbes thotë se ylli 35 vjeçar i Juventusit është vetëm sportisti i tretë pas Tiger Woods dhe Floyd Mayweather që arrin fitime prej 1 miliard dollarë derisa ende vazhdon të jetë aktiv në sport.

650 milionë dollarë Ronaldo i ka fituar vetëm nga pagat gjatë karrierës së tij, dhe pjesa tjetër vjen nga aktivitetet jashtë fushës.

Ronaldo gjithashtu është personi më i ndjekur në botë në Instagram, me 222 milionë ndjekës.